Dy automjete luksoze të vjedhura jashtë shtetit dhe të trafikuara në Shqipëri janë sekuestruar nga policia e Tiranës.
Sipas policisë bëhet fjalë për dy mjete tip Audi SQ8 dhe BMW, me vlerë të përbashkët rreth 120 000 euro.
Nga veprimet hetimore u identifikuan dhe proceduan penalisht dy shtetas me iniciale H. P., 29 vjeç dhe K. B., 50 vjeç, të dyshuar për trafikimin në Shqipëri të makinave të vjedhura në Gjermani dhe Zvicër, me qëllim shitjen e tyre.
29-vjeçari dyshohet se ka sjellë automjetin e vjedhur tip “Audi SQ8”, me vlerë rreth 70 000 euro, nga Gjermania, ndërsa 50-vjeçari ka sjellë nga Zvicra “BMW” e vjedhur, me vlerë rreth 50 000 euro.
Tiranë
Vijon operacioni i koduar “Stolen line”. Sekuestrohen 2 automjete të tjera, tip “Audi SQ8” dhe “BMW”, me vlerë 120 000 euro, të vjedhura jashtë shtetit dhe të trafikuara në Shqipëri.
Identifikohen dhe procedohen penalisht 2 shtetasit që dyshohet se kanë trafikuar në Shqipëri, me qëllim shitjen, 2 automjetet e vjedhura në Gjermani dhe në Zvicër.
Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, kryer në vijim të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme goditën 2 raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale.
Në vijim të veprimeve procedurale:
-u sekuestrua 1 automjet tip “Audi SQ8”, me vlerë rreth 70 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani. Për këtë rast nisi procedimi penal për shtetasin H. P., 29 vjeç, i cili dyshohet se ka sjellë automjetin, në Shqipëri, me qëllim shitjen;
-u sekuestrua 1 automjet tip “BMW”, me vlerë rreth 50 000 euro , i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Zvicër. Për këtë rast nisi procedimi penal për shtetasin K. B., 50 vjeç, i cili dyshohet se ka sjellë automjetin, në Shqipëri, me qëllim shitjen.
Operacioni “Stolen Line” vijon.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


