Tre shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar sot në Shqipëri.
Policia e Shtetit bën me dije se bëhet fjalë për 3 shtetas të ekstraduar nga Greqia, Belgjika dhe Serbia.
Mësohet se shqiptarët e ekstraduar nga Athina, Brukseli dhe Beogradi janë Mikel Hoxha alias Mikel Papa, Armando Gropa dhe Suard Onuzi.
Njoftimi i policisë
Policia e Shtetit bën me dije se bëhet fjalë për 3 shtetas të ekstraduar nga Greqia, Belgjika dhe Serbia.
Finalizimi i procedurave të ekstradimit, rezultat i bashkëpunimit konsistent të shërbimeve të Interpol Tiranës, me homologët në Athinë, Bruksel dhe Beograd. Konkretisht, u ekstraduan në Shqipëri, shtetasit shqiptarë:
-M. H. alias M. P., i kapur në Greqi, pasi Gjykata e Beratit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ai ka investuar për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe ka transferuar shuma të mëdha parash te të afërmit e tij, të ardhura të cilat i ka përfituar nga veprimtaria kriminale e shfrytëzimit për prostitucion, për të cilën është dënuar në Itali. Nga dënimi, shtetasit M. H. alias M. P. i duhet të vuajë 3 vjet e 9 muaj burgim;
-A. G., 40 vjeç, i kapur në Belgjikë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vitin 2021, ai kultivoi 140 bimë narkotike Cannabis Sativa, në sipërfaqen e tokës që kishte në pronësi në fshatin Grizë;
-S. O., i kapur në Serbi, pasi Gjykata e Kukësit, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Ai akuzohet se ka trafikuar në Shqipëri, 1 automjet tip “Mercedez Benz”, të denoncuar të vjedhur në Francë.