Azir Aliu
Në prag të 7 prillit, Ditës Botërore të Shëndetit, ia vlen të ndalemi te mesazhi që këtë vit përcjell Organizata Botërore e Shëndetësisë: “Together for health. Stand with science.” Përparimi teknologjik, rritja dhe zhvillimi eksponencial i inteligjencës artificiale dhe depërtimi i saj në shkencë, i japin këtij mesazhi një peshë si një nga mesazhet më të rëndësishme qytetëruese të kohës sonë. OBSH e nisi vitin 2026 duke vënë në fokus njohuritë shkencore, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe qasjen One Health – ndërgjegjësimin se shëndeti i njerëzve është i pandashëm nga shëndeti i kafshëve, bimëve dhe mjedisit.
Në një epokë në të cilën secili ka të drejtë për mendimin e vet mbi shkencën, mjekësinë dhe shëndetin publik, ky mesazh tingëllon pothuajse si një detyrim moral. Të qëndrosh me shkencën nuk do të thotë të mbrosh një laborator të largët, por të mbrosh të drejtën e njeriut për të vërtetën, për diagnozë të saktë, për terapi në kohë, për një sistem që nuk vendos mbi bazën e dezinformatave, por mbi forcën e provave. Shkenca në shëndetësi është ndërgjegjja e saj. Pa të, politika lehtë përfundon në improvizim, ndërsa improvizimi në shëndetësi paguhet nga njeriu me kohën e tij, me dhimbjen e tij, e ndonjëherë edhe me jetën e tij.
Pikërisht për këtë arsye, kur flas për reforma në shëndetësinë e Maqedonisë, nuk dua që ato të reduktohen vetëm në ndryshime burokratike, formularë të rinj apo zhvendosje administrative. Bindja ime është se sistemi shëndetësor mund të bëhet më i drejtë dhe më efikas vetëm nëse bëhet më shkencor. Dhe kjo nënkupton diçka shumë konkrete: të dhëna të rregulluara, procese të verifikueshme, protokolle, evidenca elektronike, memorie institucionale dhe digjitale, si dhe kapacitete të zhvilluara për të mësuar nga faktet.
Në këtë kontekst ishte edhe ideja për të përgatitur ndryshime ligjore me të cilat dokumentacioni mjekësor, udhëzimet, recetat, raportet dhe regjistrat do të mbahen në mënyrë digjitale, me një dosje unike elektronike shëndetësore për çdo pacient. Në këtë drejtim, edhe telemjekësia – e testuar tashmë me sukses në trekëndëshin Shkup–Dibër–Dellçevë – nuk shihet si një ekzotizëm teknologjik, por si një mënyrë që dija të udhëtojë më shpejt se pacienti dhe të afrojë kujdesin specialistik pranë vendit të jetesës.
Qasja shkencore sot ka edhe një dimension tjetër të rëndësishëm: ndërgjegjësimin se shëndeti nuk mund të shihet më i izoluar, si një marrëdhënie e mbyllur ndërmjet mjekut, pacientit, ambulancës dhe spitalit. Pikërisht për këtë arsye OBSH këtë vit e thekson fuqishëm qasjen One Health, e cila e kupton shëndetin si një ndërlidhje ndërmjet njerëzve dhe ritmit të jetës në natyrë. Kjo qasje është përgjigje ndaj realitetit të kohës sonë: kërcënimet e reja infektive, rezistenca antimikrobike, ndikimet klimatike mbi shëndetin dhe nevoja që sistemet të mësojnë të parashikojnë. Sa më e ndërlidhur bëhet bota, aq më shumë edhe shëndetësia duhet të bëhet e lidhur shkencërisht dhe e koordinuar institucionalisht.
Prandaj, të qëndrosh me shkencën nuk do të thotë vetëm të jesh “pro” mjekësisë, por të jesh për një shtet që vendos mbi bazën e njohurive të verifikueshme. OBSH në strategjinë e saj globale për shëndetin digjital thekson se iniciativat digjitale mund të japin rezultate vetëm nëse mbështeten në një strategji të fortë që lidh burimet financiare, organizative, njerëzore dhe teknologjike. Ky është një mësim i rëndësishëm edhe për ne: teknologjia vetë nuk shpëton. Por kur vihet në shërbim të protokolleve mjekësore, dijes, memories institucionale dhe përgjegjësisë, ajo bëhet mjet i efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit, por edhe i qëllimit të tij për të qenë i drejtë.
Në këtë kuptim, proceset e digjitalizimit që kemi nisur në sistemin tonë shëndetësor nuk i shoh si një dekor të modernitetit, por si një parakusht të domosdoshëm që sistemi të mësojë të masë, të ndjekë, të krahasojë dhe të vendosë me më shumë arsye dhe më pak improvizim.
Sistemet më të zhvilluara shëndetësore prej kohësh nuk mjaftohen vetëm me regjistrimin e asaj që i ka ndodhur pacientit. Ato synojnë të parashikojnë më mirë atë që mund t’i ndodhë. Pikërisht për këtë arsye Bashkimi Evropian sot investon në iniciativa si Virtual Human Twins, në kuadër të vizionit më të gjerë për European Health Data Space, ku të dhënat shëndetësore, interoperabiliteti, përpunimi me superkompjuterë dhe inteligjenca artificiale nuk trajtohen si një lojë teknologjike, por si bazë për një mjekësi më të saktë, të personalizuar dhe parashikuese. Për Maqedoninë, kjo nuk është një temë për vetëkënaqësi të sotme, por për orientim të së nesërmes: të dimë drejt çfarë sistemi duhet të zhvillojmë, edhe kur ende po zgjidhim dobësitë themelore të së tashmes.
Këtu fillon modernizimi i vërtetë, i cili përveç më shumë ekraneve nënkupton edhe më shumë gjurmë dhe evidencë të proceseve. Shëndetësia mund të fitojë besim më të madh vetëm nëse ka një sistem që mban mend, lidh dhe verifikon. Dhe një sistem i tillë mund të ndërtohet vetëm mbi bazën e shkencës dhe arritjeve të saj.
Sigurisht, do të ishte e padrejtë të thuhej se sistemi shëndetësor i Maqedonisë nuk ka dobësitë e veta materiale. Ato ekzistojnë dhe janë reale: mungesë e stafit, nevojë për infrastrukturë më të mirë, për më shumë rend, disiplinë dhe qasje. Por pikërisht për këtë sot kemi nevojë për një referencë më të lartë në shkencë, që të mos mbetemi të bllokuar në të tashmen. Shëndetësia nuk mund të jetë përjetësisht vetëm reaktive dhe e bazuar në zgjidhje të përkohshme; ajo duhet të evoluojë drejt një sistemi që di të parashikojë, krahasojë, analizojë dhe të mësojë nga të dhënat e veta. Kjo është thelbi i shëndetësisë moderne dhe arsyeja pse qasja shkencore është një domosdoshmëri për shtetet që duan të dalin nga cikli i improvizimit.
Megjithatë, shkenca nuk merr kuptim vetëm kur bëhet një strategji e madhe evropiane. Ajo merr kuptim edhe kur shndërrohet në një akt njerëzor në një sallë konkrete operacioni – një arritje e një ekipi të mbushur me dije dhe dinjitet. Prandaj vlen të theksohet se edhe në Maqedoni tashmë ekzistojnë shembuj ku potenciali shkencor dhe profesional nuk është vetëm një dëshirë e paqartë, por realitet. 16 transplantimet e suksesshme të kornesë së syrit, në bashkëpunim me ekspertë nga SHBA, janë dëshmi se kur bashkohen dija, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe kapacitetet vendore, sistemi ynë di të bëjë hapa që deri dje dukeshin të largët. Në atë moment, shkenca është rikthim i shikimit. Ajo është rikthim i mundësisë.
Si informaticien me profesion, e sot si ministër i shëndetësisë, besoj thellësisht se e ardhmja e shëndetësisë nuk do të përcaktohet vetëm nga numri i spitaleve që do të ndërtojmë, por nga mënyra se si do të mësojmë ta shndërrojmë shkencën në politikë. Nuk më përafrohet logjika ku teknologjia është qëllim në vetvete. Po logjika më thotë se digjitalizimi mund të bëhet formë drejtësie: kur njeriu merr shërbim më të shpejtë, kur mjeku ka një pasqyrë më të qartë, kur sistemi krijon gjurmë dhe kur shteti fiton mundësinë të vendosë më me përgjegjësi.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron kuptimi më i thellë i mesazhit të këtij viti të OBSH-së. Të qëndrosh me shkencën do të thotë të pranosh se nuk ka shëndetësi dinjitoze nëse sistemi nuk mbështetet mbi dije, prova dhe aftësi për të mësuar. Shkenca e mbron njerëzimin nga arbitrariteti, padija dhe rastësia. Një shtet që vërtet qëndron me shkencën, në fakt qëndron me njeriun më të cenueshëm në momentin kur ai ka më shumë nevojë për siguri dhe të vërtetë.
Kjo është pesha etike dhe qytetëruese e këtij mesazhi: shëndetësia nuk duhet të jetë një hapësirë ku njeriu lihet vetëm përballë sëmundjes, por një sistem ku dija qëndron në anën e tij.
Prandaj, në prag të 7 prillit, nuk dua ta lexoj mesazhin “Together for health. Stand with science.” si një fjali simbolike që do ta përsërisim dhe do ta harrojmë. Dua ta lexoj si një detyrim. Të qëndrojmë me shkencën do të thotë të qëndrojmë me një sistem shëndetësor më të qetë, më të saktë, më të drejtë dhe më të përgjegjshëm, por mbi të gjitha të bazuar në prova. Dhe mbi të gjitha, të qëndrojmë me shkencën do të thotë të qëndrojmë me njeriun – sepse në fund, çdo reformë e vërtetë në shëndetësi ka vetëm një provë të kuptimit të saj: a e ka mbrojtur dinjitetin e njeriut në momentin kur ai ishte më i cenueshëm.


