23 Tetor 2018 / 14:04
Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së ka vendosur që të përjashtojë nga partia nënkryetarin Mitko Jançev. Bazë për largimin e tij opozita e merr thirrjen e tij për të mbështetur referendumin e 30 shtatorit, thirrje kjo që sipas tyre ka qenë në kundërshtim me qëndrimin dhe vendimin e partisë. Nga partia është përjashtuar edhe Kostadin Bogdanov, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.
Për shkak të bashkëpunimi të ngushtë me Zoran Zaev, si dhe organizimin e grupeve për presione dhe kërcënime nga më të ulëtat por edhe blerjen e deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, me qëllim që të votojnë për ndryshimet kushtetuese, Komiteti Qendror e shkarkoi nënkryetarin Mitko Jançev, Bazuar në statutin partiak, vendimi u morr me votim të fshehur. Të gjithë anëtarët votuan fshehur dhe rezultati ishte unanim për shkarkimin e Jançevit. Gjithashtu u shkarkua edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Konstadin Bogdanov”- u shpreh Aleksander Nikollovski, nënkrytar i VMRO-DPMNE-së.
Komiteti Qendror ka kërkuar nga komitetet lokale që të shkarkojnë edhe ish drejtorin e DSK-së, Sasho Mihajllkov dhe ish ministrin e Shëndetësisë, Nikolla Todorov. Mihajllkov nga partia akuzohet për bashkëpunim të ngushtë me kryeministrin Zoran Zaev dhe vëllain e tij Vice Zaev.
Për në fund duam ta urojmë koalicionin më të ri kriminal në Maqedoni: Zoran Zaev, Vice Zev, Sasho Mihajllkov. Për fat të mirë, VMRO-DPMNE-ja ka mekanizma për t’u pastruar dhe të ecë para. Nga sot ecim para të vetëdijshëm për sfidat që na presin”- tha Aleksander Nikollovski, nënkrytar i VMRO-DPMNE-së.
Komiteti Qendror gjithashtu kërkon nga 8 deputetë e VMRO-DPMNE-së dhe të koalicionit që të kthejnë mandatin për shkak se kanë tradhtuar votën e qytetarëve dhe kanë vepruar në kundërshtim me përcaktimet programore dhe ideologjike të partisë. Opozita pretendon se deputetët janë kërcënuar nga personat tashmë të përjashtuar nga partia se do të përfundojnë në burg, duke tentuar t’i blejnë me para, me qëllim që siç pretendon opozita, për t’u mbrojtur nga ndjekjet penale. Të pyetur nëse ndaj kryetarit të nderit, ish kryeministrit Nikolla Gruevski ka një iniciativë për shkarkimin e tij, nënkryetari i VMRO-së, Nikollovski shtoi se subjekti deri më tani nuk ka dyshime të bazuara për bashkëpunim mes Gruevskit dhe koalicionin e ashtuquajtur “kriminal” dhe se nuk ka ndikuar ndaj deputetëve për të votuar për ndryshimet kushtetuese. VMRO-ja i bën thirrje Prokurorisë Publike që të merr masa ndaj indikacioneve dhe denoncimeve që i ngrit subjekti. Partia e Hristijan Mickoskit paralajmëroi masa të njëjta edhe ndaj deputetëve të cilët mund të votojnë në fazën e dytë të ndryshimeve kushtetuese.
Adrian Kerimi


