Nga Arben Ramkaj
Në shtatorin e vitit 2024, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama prezantoi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara idenë e krijimit të një entiteti të veçantë për komunitetin bektashi, një organizëm autonom që do të ruante trashëgiminë shpirtërore të këtij besimi.
Por edhe pse u reklamua si e tillë, kjo ide shkaktoi reagime të menjëhershme dhe të forta brenda Shqipërisë dhe në rajon. Sigurisht, reagimi nuk buronte nga kundërshtimi ndaj vetë Bektashizmit, por ndaj formatimit të tij si një “entitet autonom” që mund të hapte rrugë për privilegje shtetërore apo veçime të panevojshme.
Komuniteti bektashi, si pjesë e pandarë e familjes së madhe islame shqiptare, nuk ka kërkuar kurrë ndarje. Pjesëtarët e tij kanë falur Bajramet me vëllezërit e tyre sunitë, kanë festuar me të krishterët, kanë qenë pjesë e pandashme e harmonisë shqiptare. Dhe e kanë bërë këtë pa
flamur, pa ndasi, por vetëm me besim dhe përulësi.
Shqetësimi kryesor është se një proces i tillë, i ndërmarrë pa konsultim të gjerë dhe të thellë me komunitetet fetare shqiptare dhe rajonale, mund të sjellë tensione të panevojshme dhe pasoja afatgjata. Islami tradicional shqiptar, me rrënjë në mendimin e dijetarëve si Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Sabri Koçi, por edhe në urtësinë mistike të Baba Reshat Bardhit, deri edhe tek kreu aktual Baba Edmond Brahimaj, ka qenë gjithmonë një burim paqeje dhe jo ndarjeje.
Reagimet rajonale kundër kësaj nisme ishin të menjëhershme. Komunitetet myslimane në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Sanxhak dhe Bosnje Hercegovinë shprehën shqetësim të thellë, duke theksuar se ky projekt rrezikon të përçajë më shumë se sa të bashkojë.
Në Turqi, Federata Alevito-Bektashiane, e cila përfaqëson mbi 10 milion besimtarë, u shpreh prerazi: “Bektashizmi nuk mund të shndërrohet kurrsesi në një shtet!”. Ata theksuan se kjo filozofi nuk njeh kufij, dhe nuk duhet as të përdoret për ndarje politike, e as të instrumentalizohet për interesa gjeopolitike.
Madje edhe në Trakinë Perëndimore të Greqisë, ku pak kohë më parë u njoh komuniteti alevito-bektashi si entitet më vete, pati zëra që e kundërshtuan hapur idenë e “shtetit bektashi”, duke e cilësuar si një devijim nga fryma universale sufiste. Këto qëndrime, pasqyrojnë një ndjeshmëri të madhe në rajon për rolin e fesë në jetën publike dhe për rrezikun e politizimit të saj.
Një sondazh i BIRN, agjencisë prestigjioze të gazetarëve investigativë të Ballkanit, vetëm disa javë pas deklaratës së zotit Rama, tregoi se mbi 89 për qind e të anketuarve ishin kundër idesë
se një “Shteti Bektashi” në Shqipëri. Madje kundër propozimit, ishin edhe 71 për qind e vetë bektashinjve që morën pjesë në anketë.
Pjesa më e madhe e të anketuarve e cilësonte propozimin si joserioz, dhe shprehën shqetësimin se ai cënon ekuilibrat fetarë në vend dhe minon harmoninë, me të cilën vetë kryeministri u krenua përpara vendeve anëtare në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Kjo ide tejet të diskutueshme ka pasur jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Disa e kanë përkrahur dhe nxitur atë, ndërsa të tjera e kanë kritikuar. Kështu gazeta gjerman “Der Standard”, do të cilësonte një precedent të rrezikshëm krijimin e një mini-shteti fetar në zemër të Ballkanit, që cënon parimin e ndarjes së shtetit nga feja, por edhe bart rreziqe të tjera, sidomos keqpërdorimin nga aktorë të huaj për të nxitur konflikte në rajon, brenda apo midis shteteve.
Urdhri Botëror Bektashi është një tarikat i Islamit, që e vendosi qendrën e vet në Shqipëri në vitet midis dy Luftërave Botërore. Ndër shqiptarë, ata kanë pasur gjithmonë një prani të rëndësishme, duke u konsideruar si feja e katërt për nga madhësia dhe një pjesë e rëndësishme e proceseve shtetformuese dhe të Rilindjes Kombëtare.
Pra nuk ka pasur asnjëherë diskriminim. Përkundrazi janë njohur dhe promovuar vlerat kulturore e humane të këtij komuniteti. Ndaj ide të tilla, dukshëm diferencuese në raport me komunitetet
e tjera, duke nisur nga ai mysliman që është më i madhi në vend, nuk mund të shihen as me dashamirësi dhe as me indiferencë.
Shteti shqiptar i ka ende shumë borxhe komuniteteve fetare – morale, institucionale dhe financiare – dhe ndërsa duhet të bëjë maksimumin për të riparuar pasojat e goditjes që u përjetua gjatë diktaturës, s’mund të bëhet përcjellës e aq më keq akoma promotor i nismave të tilla përçarëse.
Shqipëria ka qenë dhe është një model i bashkëjetesës fetare, jo sepse dikush e ka detyruar, por sepse shqiptarët e kanë jetuar besimin me përulësi dhe respekt për njëri-tjetrin. Paqja fetare nuk është rezultat i ndonjë marrëveshjeje politike, por një amanet i ndërtuar ndër dekada, përmes bashkëpunimit ndërmjet klerikëve dhe shoqërisë.
Dhe kjo bashkëjetesë nuk ka nevojë për eksperimente apo modele të importuara. Bektashizmi nuk ka nevojë për emblema shtetërore. Flamuri i tij është shpirtëror, njerëzor dhe i rrënjosur thellë në historinë dhe ndërgjegjen tonë kolektive.
Ndaj modestisht, unë bëj thirrje por edhe lutem që të mos e tjetërsojmë këtë pasuri të madhe që na kanë lënë trashëgim të parët brez pas brezi. Le të mos e vendosim fenë në qendër të ndasive apo garave ideologjike.
Në një kohë kur Lindja e Mesme po shkrumbohet nga përplasjet sektare dhe rajoni i Ballkanit mbetet i ndjeshëm ndaj çdo lloj devijance fetare, Shqipëria nuk duhet të hapë kurrsesi plagë të reja. E imja është një thirrje për përulësi, dialog dhe për ruajtjen e besëlidhjes fetare që na ka mbajtur të bashkuar në kohët më të vështira.
Siç thoshte edhe i Dërguari i Zotit: “O Zot, a e përcolla? O Zot, dëshmo”.