Instituti për akreditim i Republikës së Maqedonisë ka shënuar ditën botërore të akreditimit, me moton “Sigurim i besimit në ndërtimtari dhe mjedisi i ndërtuar jetësor”.
Tema u fokusua në rrjedhën se si akreditimi mund t’i mbështesë profesionet në industrinë e ndërtimtarisë, duke filluar nga kontraktuesit, prodhuesit, dizajnerët, arkitektët, inxhinierët e ndërtimtarisë dhe rregullatorët, njohton Almakos.
Në këtë eveniment përveç përfaqësuesve të instuticioneve shkencore-arsimore, instuticioneve shëndetësore dhe të trupave për vlerësim të përshtatjes, i pranishëm ishte Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Ai përshëndeti trupat e akredituar duke vlerësuar se ato kontribuojnë që kompanitë vendase të konkurrojnë më lehtë në tregjet e lira.
“Bekteshi shtoi se këto trupa akreditues lehtësojnë kushtet për qarkullimin e lehtë të mallrave, shërbimeve dhe personave, si dhe mbështesin ekonominë botërore dhe tregtinë e lirë. Ndërsa rëndësi të veçantë ka fakti se kompanitë e Maqedonisë kanë trajtim të barabartë me konkurrentët e tyre evropian dhe botëror, që paraqet një pasuri me interes kombëtar për vendin”,deklaroi Kreshnik Bekteshi Ministër i ekonomisë.
Ndërkaq, drejtor i Institutit për Akreditim, Tërpe Ristoski, tha se Instituti që drejton ai, këtë vit është i fokusuar në fushën e ndërtimtarisë. Ai tha se për herë të parë, këtë vit Instituti dorëzon certifikat për dy trupa të akredituar për prodhime të ndërtimtarisë.
“Deri më tani kjo ishte një boshllëk në ndërtimtari, sepse të gjithë prodhuesit, materialet e ndërtimtarisë patjetër e kishim t’i dërgojmë jashtë vendit për tu certifikuar. Tashmë nga viti i kaluar është mundësuar që edhe trupat tanë të akredituar të punojnë në atë fushë”, tha Ristoski.
Dita Ndërkombëtare e Akreditimit është iniciativë globale e Forumit Ndërkombëtar për Akreditim (IAF) dhe Korporatës Ndërkombëtare të Laboratorëve të Akredituar (ILAC), e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e akreditimit.
Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Akreditimit Instituti dorëzoi certifikata për trupat e akredituar dhe të riakredituar për vlerësim të përshtatjes në periudhën nga qershori i vitit 2016 deri në maj të vitit 2017.
Almakos.com
H.Fejzulla