Kjo vlen në përgjithësi, gjithandej ku jetojnë shqiptarët, por, kur bëhet fjalë për vendbanimet e rajonit të Karadakut të Shkupit, Brezës, Malinë e Tanushë si dhe Bllaca, kjo i tejkalon të gjitha normat, standardet, kriteret dhe parimet, çfarëdo qofshin ato dhe të cilësdo kategori të jenë.
Në këto vendbanime, që fatkeqësisht nga pushteti i koalicionit të vjetër dhe të ri LSDM e BDI, ashtu siç fillimisht padrejtësisht u la në kuadër të komunës Çuçer-Sandevë, sot i njëjti pushtet, sërish padrejtësisht dhe në vazhdimësi, po ushtron dhunë, padrejtësi, anashkalim e maltretim për banorët e kësaj ane.
Banorët e këtyre fshatrave, vite të tëra ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme, pa punë, pa shkolla, pa rrugë e pa kushte për ekzistencë, por, ashtu punëtorë, të vyeshëm dhe atdhetarë siç që janë, çdo herë kanë ditë e kanë mundë të mbijetojnë, pavarësisht vështirësive dhe lojërave të ulëta të pushtet mbajtësve, cilët do qofshin ato.
Edhe sot këta fshatarë të lanë jashtë dore si nga subjekti shqiptar në pushtet BDI, poashtu edhe nga ai që vërtet qeverisë – LSDM, krahas vështirësive të tjera po ballafaqohen edhe me dhunën e maltretimet e policisë, duke u kontrolluar gjatë çdo lëvizje që bëjnë dhe duke u ndaluar e mbajtur padrejtësisht me orë të tëra gjatë rrugëtimit të tyre drejt qytetit të Shkupit.
Njerëzit e kësaj ane, çdo herë dhe nga çdokush gjer më sot, u përdorën vetëm si makineri votuese, sa për të zgjedhur kryetar komune, që asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk ndihmoi dhe nuk ndihmon këto fshatra, po as edhe me një investim apo punësim minimal, apo për të zgjedhur “alamet” deputet, që asnjëherë nuk patën guximin që të thonë qoftë edhe një fjalë në të mirën e kësaj popullate.
Edhe sot, në këtë ditë feste kur “të parët” e kombit “festojnë” ditën e arsimit shqip, popullata e Brezës, Malinës, Tanushës e Bllacës nuk po gëzojnë të mirat që u takojnë.
Ata po përbuzen skajshmërish të lënë në harresë, në kufirin e shtetit por edhe të mjerimit, por edhe më tej me një shpresë se një ditë edhe në këtë trevë do të vijë një jetë më e mirë, një mbrojtje më e mirë ekonomike, sociale e mbi të gjitha politike.
Forcë e cila nga buxheti, që çdo herë anashkaloi shqiptarët, do të mundë të ndajë atë që vërtet na takon.
Ne kemi durimin, kemi atdhedashurinë, kemi forcën për të mbijetuar, pavarësisht padrejtësive.
Ne kemi edhe një porosi për Ju, që na keni gënjyer e na keni mashtruar.
MJAFT MË – NUK KALON
Dega e Aleancës për Shqiptarë-Çuçer Sandevë