Hamdi Nuhiju
Shpesh herë kemi dëgjuar shprehjen se njeriu është qenie shoqërore dhe asesi individuale ! Kjo shprehje ka dal në shesh nga qenia individuale, nga njëshi, njeriu si ego vetjake e cila llogaritet si epiqendër e botës. Tjetri mund të imponoj vlera të caktuara, të shkaktoj dhunë, dhe tortura të padurueshme në botën tënde fizike, psiqike dhe shpirtërore. Po ai asnjëherë nuk mund të ta vjedh hapësirën tënde individuale me të cilën ti mbrohesh nga secili ndikim.
Hapësira individuale është vetëm e jotja. Atë e nxjerr në pah në momente të caktuara si mekanizëm mbrojtës nga të gjitha llojet e torturave.
Të jesh me të tjerët duhet të mësosh komunikimin, gjuhën, karakteret dhe vlerat në të cilat besojnë. Është rrugëtim i njohur! Ky proces merr kohë, po përfundon. Por, të jesh me vetveten, është filozofi e vështirë. Ku nis dhe ku përfundon?! Njeriu që menaxhon me sukses me hapësirën e tij individuale – nga të tjerët njihet si njeri i diciplinuar. Pasi që nuk derdh asgjë jashtë nga kazani i egos së tij. Merr frymë në kuadratin e hapësirës individuale.
Prandaj, ndonjëherë të jesh vet është më e vështirë sesa ti durosh karakteret e njerëzve!