Propozim-Ligji për Gjuhën Shqipe rikthehet në Kuvend ditën e hënë. Seanca për sjelljen e Ligjit për Gjuhët është planifikuar që të përfundojë deri të premten. Kryeparlamentari tha se seanca për këtë ligj u ndërpre para fillimit të fushatës parazgjedhorë, me qëllimin e vetëm që të mos ketë keqpërdorim për fushatë, shkruan Almakos.
Sipas kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferri, ky ligj do të jetë në rendin kryesor të ditës sw hwnw, nëse nuk vjen propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të qeverisë.
“Planifikojnë që ligji i gjuhëve të jetë në Kuvend që nga e hëna, në rast se nuk vjen propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të qeverisë. Debati për ligjin planifikohet të mbarojë deri të premten”, tha Xhaferi.
Në fillim të shtatorit, Komisioni për çështje evropiane i dha dritë jeshile propozim-ligjit për gjuhën shqipe për tu futur në procedurë parlamentare, por me kalimin në Kuvend ky propozim- ligj ngeci në leximin e parë. Në debatin e leximit të parë kaloi fjalimi i dhjetë deputetëve nga gjithsej shtatëdhjetë të paraqiturit. Deputetët e opozitës akuzuan se ligji është antikushtetues dhe kërkuan tërheqjen e tij, ndërsa sipas shumicës parlamentare ligji është në pajtim me Kushtetutën dhe me të nuk prishet karakteri unitar i shtetit.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Tomisllav Tuntev, thotë se partia e tij është gatshme të bëjë ndryshime në ligj dhe është në kontakt edhe me ekspertë të fushave të ndryshme për një ligj sa më cilësor.
Pas këtij leximi të parë vijon leximi i dytë, debatet për amendamentet dhe më pas diskutimi publik.
Megjithatë zyrtarizimi i gjuhës shqipe në kartëmonedha, në uniformat e policisë dhe letrat me vlerë do të varet nga mendimi që do të japë Komisioni i Venedikut, pasi veçse këto tre dispozita janë dërguar tashmë atje.
Ndryshe, Komisioni Europian për Demokraci nëpërmjet Ligjit, i njohur më mirë si Komisioni i Venedikut, është organizëm këshillues mbi çështjet kushtetuese dhe nuk vendos për të njëjtat. Fillimisht u konceptua si një mjet për rregullime kushtetuese emergjente, ndërsa tashmë komisioni është shndërruar në një konsulent ligjor i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com