Mbrëmjen ndërmjet të shtunës 26 dhe të dielës 27 mars 2022, pritet kalimi nga ora dimërore në atë verore, praktikë që rikthehet rregullisht në këtë periudhë të vitit. Prandaj, orët që kërkojnë ndërhyrje manuale duhet të zhvendosen me një orë përpara, nga ora 2:00 deri në 3:00. Si rezultat do të flini më pak, por nga ana tjetër regjimi i ri për orë do t’ju lejojë të përfitoni nga rrezet e diellit deri vonë, edhe falë zgjatjes së ditëve që sjell vera.
Koha e verës: Udhëzimet për përdorim
Ndryshimi i orës do të bëhet në orën 2:00 të mëngjesit, por kjo nuk do të thotë se duhet të ndërprisni gjumin. Orët e dorës klasike dhe të gjitha orët analoge në përgjithësi mund të rregullohen të shtunën në mbrëmje, para se të shkoni në shtrat, në mënyrë që të vendosni paraprakisht ritmin tuaj në orën e ditës. Alternativa është ta shtyni çështjet e takimet për të nesërmen në mëngjes, pasi të zgjoheni, sepse në të kundërt rrezikoni vonesa.
Ora verore do të qëndrojë në fuqi deri në fundjavën e fundit të tetorit: ndërmjet të shtunës 29 dhe të dielës 30 tetor 2022, ku akrepat do të ndryshojnë 60 minuta, duke shënuar kështu rivendosjen e orës diellore.
Rezoluta e Parlamentit Europain
Theksojmë se Parlamenti Evropian (PE), pak kohë më parë miratoi rezolutën e përgatitur për t’i dhënë fund ndryshimit të orës në muajt e verës dhe dimrit në vendet anëtare.
Asambleja e Përgjithshme e PE-së u mblodh në Strazburg, në vitin 2019 për të shqyrtuar dhe votuar rezolutën në fjalë.
Deputetët miratuan rezolutën me 410 vota pro dhe 192 kundër.
Sipas rezolutës, vendet anëtare të BE-së deri në prill të vitit 2020 do të duhet të bënin një zgjidhje të përhershme mes orëve verore dhe dimërore, ndërsa duke filluar nga viti 2021 do t’i jepnin fund këtij zbatimi që ndryshonte orën dy herë në vit.
Në vendet anëtare të BE-së, çdo vit në ditën e diel të fundit të muajit mars, akrepat e orës i lëvizin një orë përpara, ndërsa të dielën e fundit të muajit tetor një prapa.
Në një sondazh që Komisioni i BE-së kishte bërë për të marrë opinionin e publikut në lidhje me llogaritjen verore të kohës kishin marrë pjesë 4,6 milionë persona.
Sipas kësaj 84 për qind të pjesëmarrësve kishin kundërshtuar këtë zbatim.



