Vendimi për mundësinë e lëshimit nga paraburgimi të të dënuarve në rastin “Monstra” po çohet derë më derë, nga gjykata në gjykatë. Edhe pse gjatë këtyre dy ditëve ishim në kontakt me gjykatat dhe si përfundim na informuan se lënda tashmë nga Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit është transferuar në atë Penale, tani nga Gjykata Themelore për Televizionin SHENJA njoftojnë se lënda përsëri është dërguar në Gjykatën Supreme.
Edhe pse nuk ka një praktikë të tillë prej më herët dhe ky njoftim i Penales ishte i paqartë për gazetarët, zëdhënësi i Gjykatës Themelore insistonte se i kanë thënë që ti drejtojë gazetarët që pyesin për “Monstrën” te Gjykata Supreme.
U paraqitëm edhe tek Gjykata Supreme por ende nuk ka përgjigje nëse vërtetë lënda është kthyer përsëri në këtë institucion, pavarësisht nëse është ose jo kompetente për të vendosur mbi heqjen eventuale të masës së paraburgimit.
Ditë më parë Gjykata e Apelit na njoftoi se lënda është dorëzuar në Gjykatën Penale, por meqë Penalja ishte e zënë me rastin e dhunës në Kuvend informatat vinin sipërfaqësisht dhe shumë të paqarta. Por ishte kuptuar të paktën që lënda ishte në Gjykatën Penale dhe pritej mbledhja e Këshillit Penal i cili duhet ta merr vendimin.
Pesë ditë më parë, shkruan TV SHENJA, Gjykata Supreme morri vendim për të kthyer rastin “Monstra” në gjykim nga e para, por mbeti e paqartë nëse të dënuarit do të lirohet nga paraburgimi i cili thuajse ka arritur dy vjet. Duke marrë parasysh se Ligji për Procedurë Penale nuk lejon mbajtjen në paraburgim për më shumë se dy vjet, me automatizëm do duhej të lëshoheshin nga paraburgimi. Por tani që gjykatat kanë filluar me përplasje të kompetencave dhe se cila e ka lëndën në duar, nuk dihet se kur mund të ketë vendim.
Kërkesën për rikthimin e lëndës e ka bërë Prokurorja Liljana Spasovska më 3 tetor, duke kritikuar ashpër vendimin e shkallës së parë dhe të dytë për këtë rast dhe duke siguruar se ka patur shumë hapësirë për korrigjim të vendimit. Afati deri kur duhej të merr vendim Gjykata Supreme ka qenë më 3 dhjetor. Për vrasjen tek Liqeni i Smillkovës para pesë viteve, me burg të përjetshëm janë dënuar gjashtë persona.