Të shumëkërkuarit shqiptarë prej vitesh kanë gjetur strehim në Emiratet e Bashkuara Arabe duke e shndëruar atë në oazin e tyre të relaksit. Por duket se kështjella e Dubait po shkërmoqet ngadalë.
Në emisionin “Në Shënjestër” të gazetares Klodiana Lala në News24, u përmendën disa nga emrat më të njohur të botës së krimit të cilët tashmë i janë dorëzuar drejtësisë shqiptare përmes marrëveshjes së ekstradimit firmosur mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Siç ishte së fundmi edhe ekstradimi për llogari të autoriteteve shqiptare i dy shtetasve të shpallur në kërkim për vrasje dhe angazhim në organizatë kriminale.
Konkretisht Dashnor Dumani, i njohur edhe si vëllai i killerit me pagesë Nuredin Dumani, sot bashkëpunëtor i drejtësisë.
Dhe Armis Stafa, i dyshuar për përfshirjen në organizatën kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.
Por ku personazhi më interesant mbetet Dashnor Dumani i cili është një nga ekzekutorët e masakrës së Bradasheshit.
Aty ku më 29 Dhjetor 2018, u qëlluan për vdekje Endrit Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri si dhe shtetasi turk Erdal Duranay i cili po ashtu ka rol dhe ne megagrabitjen e Rinasit ku gjatë ndjekjes nga policia, u vra Admir Murataj.
Në dosjen hetimore thuhet se “Dashnor Dumani, i datëlindjes 13 Maj 1985, banues në Durrës është i dyshuar për vrasjen e Endrit Alibej, Arben Dylgjerit dhe shtetasit turk Erdal Duranay. Ngjarje kjo e ndodhur më datë 29 Dhjetor 2018, në Bradashesh, Elbasan.
Si dhe për ‘Vjedhjen me armë’ të vlerave monetare që do transportoheshin me linjën e avionit Tiranë-Vjenë, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, kryer më datë 9 Prill 2019, në pistën e aeroportit ‘Nënë Tereza’, Rinas, Tiranë”
Lidhur mbi praninë dhe rolit të vëllait të tij, në masakrën e Bradasheshit u rrëfye edhe Nuredin Dumanit, sot në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë i cili tregoi hollësisht të gjithë planin se si u mendua dhe u organizua ekzekutimi i të afërmve të Erion Alibej, i njohur si ‘Krymi’, kundërshtarit të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja në Elbasan.
“Dashi më ka treguar se ai ka marrë pjesë te vrasja e trefishtë e Bradasheshit, ku ka qenë në një makinë me atentatorët, por nuk ka goditur dot sepse ngjarja ka ndodhur shumë shpejt dhe është hutuar.
Nga Dashi kam mësuar se në atentatin ndaj Endrit Alibej dhe të afërmve të tij, kanë marrë pjesë dy makina, në të cilat kanë qenë Talo Çela, Miri Haxhia, Altin Ndoci, Dorian Shkoza dhe ai vetë. Gjithashtu ka patur edhe persona të tjerë që kanë ndihmuar atentatorët atë natë, por nuk i di me emra konkret”, ka deklaruar Nuredin Dumani në dëshminë e tij para hetuesve.
Ndërkohë në vitin 2019, bashkë me një shtetas tjetër, Dashnor Dumani, akuzohet se ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë vjedhjes me armë, të shumës së parave, në Rinas.
Personi i dytë që u ekstradua nga Dubai për llogari të autoriteteve ligjzbatuese shqiptare është Armis Stafa i cili del se është pjesë e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.
“Evidentohet se Armis Stafa në bashkëpunim me persona të tjerë kanë kryer veprime aktive për llogari të krerëve të organizatës kriminale Çopja nëpërmjet blerjes së pasurive të paluajtshme, financimit, ndërtimit të godinave të banimit, çeljes së operatorëve ekonomik si dhe shitblerjes së automjeteve, me qëllim mosekspozimin e tyre si posedues dhe pronarë de facto.
Në bisedën e zhvilluar më datë 4 Mars 2020 në Sky Ecc midis shtetasit Franc Gergely me shtetasin Klajdi Merkaj në lidhje me shitjen e disa makinave të cilat janë në pronësi të personit me emrin Armi (Armis Stafa), i ka dhënë këshilla që t’i shesin sa më shpejt me qëllim që të mos sekuestrohen dhe se çfarë duhet të deklarojë Armi nëse e pyesin.”, thuhet në dosjen hetimore.
Një tjetër personazh tashmë i ekstraduar nga Dubai, këtë herë për llogari të autoriteteve belge është edhe Franc Çopja.
I njohur si një nga magjistarët shqiptarë të kokainës, i cili u ekstradua nga Dubai në Belgjikë, në akuzën si urdhërues i vrasjes së bashkëkombasit të tij Ardit Spahiu i njohur edhe me emrin Arjan Spahiu apo ‘Ari i Vogël’.
38 vjeçari që u qëllua në Molenbeek më 27 nëntor 2020 kur doli jashtë një kafeneje. Një përplasje e egër midis klanit familjar të Çopjave dhe atij Alibej në Elbasan që në kalimin e viteve kishte sjellë me dhjetra viktima.
Ku shkak fillestar për nisjen e kësaj lufte të përgjakshme ishte bërë prishja e pazareve të drogës jashtë Shqipërisë midis Çopjave dhe Alibej nga krahu tjetër. Kokainë e humbur e cila çoi fillimisht në Masakrën e Bradasheshit në Elbasan, më 29 dhjetor 2018.
Aty ku mbetën të ekzekutuar Endrit Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri si edhe shtetasi turk, Erdal Duranay. Masakër e cila në vazhdim pasoi me shumë të vrarë.
“Dy vëllezërit Alibej drejtonin një grup të trafikut të drogës nga Holanda.
Ndërsa po kështu dyshoheshin për trafikim dhe shpërndarje lënde narkotike në veri dhe në qendër të Italisë.
Endrit Alibej njihej me nofkën ‘Tino’ dhe ‘Tarzani’, dhe në vitin 2013, ishte arrestuar si pjesë e një grupi që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë.
Përplasja mes dy grupeve mendohet se nisi në Britaninë e Madhe. Aty, pasi humbi një sasi e madhe droge”, thuhet në dosjen hetimore.
Lidhur mbi Çopjat, Erion Alibej tha për hetuesit belgë se ata ishin shpërngulur në Dubai prej disa kohësh dhe se nga aty vazhdonin të diktonin aktivitetin e tyre të drogës.
“Kur ka ndodhur vrasja e Ardit Spahiut unë kam qenë në burg. Kundërshtarët tanë janë familja Çopja. Franc Çopja është më i vogli, nga 3 vëllezërit por më i rëndësishmi pasi ka lidhje me bizneset e lëndëve narkotike.
Ai jeton aktualisht jeton në Dubai me familjen, nusen dhe një vajzë. Franci shkon shpesh në Marok ku thonë se ka investuar në atë vend. Ata ia kanë pranuar të gjithëve në Dubai që janë organizatorët e këtyre ngjarjeve.
Të gjitha paratë që kanë ata i kanë investuar në Dubai. Mesa kam marrë vesh kanë blerë edhe një shtëpi rreth 20 milionë euro në një vend të quajtur ‘Palma’. Si dhe një tjetër përballë një rrote të madhe tip karuseli, po në Dubai”, thuhet në dëshminë e Erion Alibej
Një tjetër personazh shqiptar i krimit që kishe gjetur strehë në Dubai ishte edhe Plaurent Dervishaj si edhe Julian Meçaj, pjesë e të njëjtit grup kriminal me bazë në Durrës të cilët u ekstraduan nga Emiratet e Bashkuara Arabe, pas ngritjes së akuzës nga SPAK për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal si dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të kësaj organizate kriminale.
Plaurent Dervishaj akuzohet për vrasjen më 26 Shkurt 2005, në bashkëpunim të Klodian Saliut.
Dervishaj i cili akuzohet si organizator i atentatit të 1 nëntorit 2019 në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit ndaj automjetit të ish-prokurorit Arjan Ndoj.
Nga breshëria e armëve humbi jetën shoferi Andi Maloku, ndërsa u plagos Ndoj dhe miku i tij Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi i njohur si ‘Rrumi’.
Edhe një prej anëtarëve të dyshuar të grupit të Dervishaj, Julian Meçaj u ekstradua në të njëjtën ditë me këtë të fundit nga Dubai.
Nga hetimet rezulton se Julian Meçaj ka qenë i përfshirë në atentatin e mbikalimit të Shkozetit, akuzë për të cilën po gjykohet bashkë me Dervishajn.
Por për të mbetur te Plaurent Dervishaj, ai thuhet se udhëtoi drejt Dubait në vitin 2021.
Aty ku qëndroi deri në gushtin e vitit 2024.
Dervishaj, që ishte bërë edhe vetë pre e një prite të armatosur, asaj të ndodhur në fshatin Koxhas të Shijakut, më 20 qershor 2019.
Ngjarje ku ndaj tij dhe miqve që e shoqëronin, u derdhën batare të shumta me plumba, por që fati në këtë moment duket se ishte me të dhe miqtë e tij.
Të cilët i shpëtuan paq karikatorëve me fishekë të pambarimtë të derdhur furishëm mbi ta.
Një tjetër personazh që jeton sot në Dubai, të paktën deri më tani i pashqetësuar është edhe Eldi Dizdari. Edhe ky një nga emrat më të lakuar të krimit në Shqipëri.
Por edhe një nga personat më të shumëkërkuar në Evropë, madje në listën kryesore, të atyre që priten të marrin fluturimin e parë për t’u përballur me drejtësinë evropiane, kjo për shkak të lidhjeve të tij ndërkombëtare me trafikun e lëndëve të forta narkotike.
Dizdari, i njohur edhe me emrin Denis Matoshi që u arrestua në vitin 2020 në Dubai, pas një aksioni të ndërrmarrë nga Europol në 9 vende të Evropës që thuhet se ishte pjesë e organizatës së njohur si Kompania ‘Bello’, që drejtohet nga Dritan Rexhepi.
Ky i fundit që prej disa muajsh ndodhet në një burg në Shqipëri, në proces gjykimi.
Ndalimi i Dizdarit në Dubai, u bë për llogari të autoriteteve italiane, por ndërkohë emri i tij ndodhet edhe në skedarët e policisë shqiptare, ku kërkohet më së shumti në lidhje me masakrën e 4 tetorit 2018 në ish-Bllok.
Ngjarje e cila përfundoi me një të vrarë dhe dy të plagosur, ku njëri prej të tyre ishte edhe Ervis Martinaj, ai që ndryshe njihej edhe si mbreti i bizhozit në Shqipëri.
Eldi Dizdari që vazhdon betejën e tij ligjore në Dubai për të mos u ekstraduar.
Gjë që mund të sillte edhe fundin e personazhit të tij. Nëse ai do ti dorëzohej autoriteteve italiane.
Po ndërsa Eldi Dizdari vazhdon betejën e tij ligjore për të mos u ekstraduar nga Dubai, këtë fat nuk e pati Florenc Çapja.
Një tjetër personazh ky me rekorde të shumta kriminale i cili në fillim të majit të këtij vitit, u ekstradua nga Dubai për llogari të drejtësisë shqiptare.
Në dyshimin se është i përfshirë në dosjen ‘Plumbi i Artë’.
Nipi i Ardian Çapjas akuzohet nga SPAK për ‘sigurim të kushteve për vrasje’ në dëm të Sokol Sanxhaktarit dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini, plan që nuk u realizua.
Çapja që përmes avokatit të tij ka pretenduar se nuk ka përdorur Sky Ecc dhe se akuza ndaj tij është ngritur vetëm nga një deklarim i Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt.
Por në të njëjtën kohë Florenc Çapja është dënuar me burg përjetë si një nga porositësit e vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit babë dhe bir të ekzekutuar në vitin 2012 në Elbasan.
Të cilët u vranë në një apartament, në lagjen ‘Sporti i Vjetër’ gjatë kohës që Gentian Beqiri ndodhej në arrest shtëpie, i paralizuar dhe ruhej me dy policë te dera e banesës.
Beqiri akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005.
Atentatorët e qëlluan objektivin e tyre për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator, dhe më pas mbytën edhe babanë e tij, Nezir Beqiri.
Një tjetër personazh i krimit shqiptar me rezidencë në Dubai, që edhe ky po zhvillon betejën e tij ligjore për të mos u ekstraduar në Shqipëri është edhe Durim Bami.
Apo i njohur ndryshe si një prej të fortëve të Niklës. Një personazh edhe ky interesant që u ka shpëtuar disa atentateve. Një nga porositësit e kokës së tij ishte edhe ish-deputeti socialist Arben Ndoka. Ku financues për heqjen e tij qafe ishte edhe Ervis Martinaj.
Mbreti tashmë i zhdukur që nga gushti i vitit 2022, i kumarit në Shqipëri. Ndoka që kishte dyshimet e veta se Durim Bami kishte dorë në ekzekutmin e vëllait të tij Aleksandër Ndoka.
Ku për të vrarë Durim Bamin, pas tij ishin vendosur një grup prej 16 vetësh. Durim Bami që thuhet se kishte kërkuar pajtim me Arben Ndokën. Por ky fundit nuk e ka besuar, ndaj e ka ndjekur kudo për ta vrarë.
Gjuetia ndaj Durim Bamit që është realizuar jo vetëm në zonën e Niklës por deri në Sarandë, ku ai ka pushuar.
Në lojë është futur dhe Behar Bajri, i cili duke shfrytëzuar njohjen me Durim Bamin, i propozon Arben Ndokës që ta thërrasë për vizitë në shtëpinë e tij në Shkodër dhe më pas aty ti grijnë të gjithë.
Plan që e mbështet dhe Arben Ndoka, por në Shkodër nuk shkon Durim Bami dhe vrasja e tij dështon sërish.
Arsye për të cilën edhe Durim Bami nga ana e tij kërkonte të vriste Arben Ndokën. Gjë që nuk e arriti dot.
Durim Bami i cili në tetor të vitit 2024, u arrestua për herë të dytë nga autoritetet në Dubai me kërkesë të Interpol Tiranës, që ka ridërguar edhe njëherë procedurat për riatdhësimin e tij.
Beteja e tij për të penguar ekstradimin, e nëse ja del do të jetë i vetmi të paktën për momentin që do të mund të shpëtojë pa bërë fluturimin direkt nga vendi i grataçelave në qelitë e burgut.
Këto emra, por edhe të tjerë që dikur kishin gjetur strehë në Dubai, duket se tashmë nuk është me streha e sigurt.
Pyetja që shtrohet është, si mundi Shqipëria të bindë autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe që t’i dorëzojë bosët e krimit?
Kush e realizoi këtë marrëveshje? A ka ndonjë dokument konkret apo vetëm vullnet politik mes palëve? Si bëhet i mundur mbërritja e bosëve të krimit në Shqipëri, përmes dëbimit apo formave të tjera?
Çfarë ndodh me pasuritë që kriminelët shqiptarë kanë investuar në Dubai?