Tashmë është zyrtare! Bordi i Twitter ka rënë dakord për një ofertë për blerje prej 44 miliardë dollarësh nga miliarderi dhe gjiganti i Tesla-s, Elon Musk.
Musk, i cili bëri ofertën shokuese më pak se dy javë më parë, ka pohuar se ai është personi i duhur për të “zhbllokuar” “potencialin e jashtëzakonshëm” të firmës së mediave sociale.
Ai ka sugjeruar një sërë ndryshimesh nga lehtësimi i kufizimeve të përmbajtjes deri tek zhdukja e llogarive false.
Firma fillimisht kundërshtoi ofertën e Musk, por tani do t’u kërkojë aksionarëve të votojnë për të miratuar marrëveshjen.
Musk është njeriu më i pasur në botë, sipas revistës Forbes, me një vlerë neto prej 273.6 miliardë dollarësh, kryesisht për shkak të aksioneve të tij në prodhuesin e automjeteve elektrike Tesla, të cilin ai e drejton. Ai gjithashtu drejton firmën e hapësirës ajrore SpaceX.
“Fjala e lirë është themeli i një demokracie funksionale dhe Twitter është sheshi dixhital i qytetit ku debatohen çështje jetike për të ardhmen e njerëzimit,” tha Musk.
“Unë gjithashtu dua ta bëj Twitter-in më të mirë se kurrë duke përmirësuar produktin me veçori të reja, duke i bërë algoritmet me burim të hapur për të rritur besimin, duke mposhtur spam bots dhe duke vërtetuar të gjithë njerëzit.
“Twitter ka një potencial të jashtëzakonshëm – mezi pres të punoj me kompaninë dhe komunitetin e përdoruesve për ta zhbllokuar atë./BBC, përktheu Gazeta Shqiptare