Të gjitha mallrat dhe produktet shqiptare që shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara tashmë do të duhet të paguajnë një tarifë prej 10%, pas aplikimit të tarifave tregtare nga administrata e Presidentit Trump.
Shqipëria bashkë me Kosovën dhe Malin e Zi janë tri vendet mbi të cilat do të aplikohet vetëm tarifa bazë 10 për qind nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për produktet nga Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia, tarifat variojnë nga 33 në 37 për qind. Por pavarësisht kësaj, tarifat 20% drejt vendeve të BE-së do të sjellin ndryshime edhe në ekonominë shqiptare, teksa kjo e fundit varet në 58.9% të tregtisë së jashtme me BE-në. Shqipëria importon më shumë mallra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u renditur e pesta për nga rëndësia, kryesisht mallra ushqimore, automjete, çelik e mobilie. Importet e mallrave amerikane në Shqipëri preken vlerën e 20.5 miliardë eurove gjatë vitit të kaluar.
Megjithatë, nëse vërejmë tendencën në dy muajt e parë të këtij viti, importet e mallrave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë në 2.7 miliardë lekë nga 4.3 që ishin një vit më parë. Vendi ynë eksporton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kryesisht ushqim e pije joalkoolike, materiale ndërtimi e metale, ndërsa peshën kryesore e mbajnë bimët mjekësore. Gjatë vitit të kaluar vlera e mallrave e produkteve shqiptare të shitura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rezultojnë 7 miliardë euro me një ngadalësim në krahasim me 2023. Po ashtu, mallrat që eksporton Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur rënie në vlerë edhe në janar-shkurt të 2025, duke u ulur në 653 milionë lekë, nga 749 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. 7 miliardë lekë produkte “Made in Albania” shiti Shqipëria më 2024 drejt SHBA-ve.
Janë minerale, lëndë djegëse dhe naftë, bimë medicinale, por edhe këpucë e tekstile, ato çfarë ne shesim drejt Amerikës, duke e renditur të 13-tin sa u përket eksporteve, ndërsa importuam 20.5 miliardë lekë produkte nga SHBA si ushqime, makineri pajisje, e automjete etj.. Agjentët doganorë amerikanë filluan mbledhjen e tarifave në portet detare, aeroportet dhe magazinat doganore të SHBA. Ndër vendet që janë prekur të parat nga tarifa doganore 10% janë Australia, Britania, Kolumbia, Argjentina, Egjipti dhe Arabia Saudite. Sipas një buletini të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBAve, nuk ka një lehtësim as për mallrat që ndodheshin ende në det në momentin e hyrjes në fuqi të tarifës. Megjithatë, për ngarkesat që janë nisur me avion ose anije para orës 00:01 të mëngjesit të së shtunës, është dhënë një periudhë 51-ditore lehtësimi.
Këto mallra duhet të mbërrijnë në SHBA deri më 27 maj për të shmangur tarifën doganore 10%. Po në orën 00:01 të mëngjesit të së mërkurës hyjnë në fuqi tarifat e reja “reciproke”, që variojnë nga 11% deri në 50%. Importet nga Bashkimi Europian do të taksohen me 20%, ndërsa ato nga Kina me 34%, duke e çuar totalin e tarifave të reja për Kinën në 54%. Vietnami, që kishte përfituar nga zhvendosja e zinxhirëve të furnizimit amerikan pas luftës tregtare të parë me Kinën, do të preket nga një tarifë 46%. Të premten, Vietnami ra dakord të nisë bisedime për një marrëveshje tregtare me Trump. Kanadaja dhe Meksika përjashtohen nga tarifat e reja, për shkak të një tarife të mëparshme 25% të vendosur për mallrat që lidhen me krizën e fentanilit dhe që nuk respektojnë rregullat e origjinës të marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada./Gazeta Panorama