Për më pakë se një muaj, gjykatësit e Apelit i hoqën 20 vite burg, ish-shefit të Sigurimit shtetëror, Sasho Mijallkov. Në të dy rastet vendimi është marrë nga trupi gjykues në krye të cilit ka qenë Jani Niça. Për rastin “Target-Fortesa” anëtarë tjerë të trupit gjykues janë gjykatësit Enver Bexheti, Tanja Mileva, Lidija Çaçeva dhe Gjoko Ristov. Vendimi i këtillë ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion, si te qytetarët ashtu edhe te politika, për shkak se ky rast është skandali më i madh në historinë e Maqedonisë, në të cilën u shkelën të drejtat themelore të njeriut me përgjimin e 20 mijë qytetarëve. Presidenti i Shtetit, Stevo Pendarovski është shprehur i tronditur. Sipas tij vendimi gropos besimin e qytetarëve në organet e gjyqësorit.
“Jam i tronditur nga vendimi i Gjykatës së Apelit për rastin “Target-Fortesa”. Vendimi është dështim për shtetin e së drejtës dhe për besimin e ulët të qytetarëve në organet e gjyqësorit. Vendimet e këtilla e groposin besimin e qytetarëve se janë të mundura reformat të vërteta në sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Stevo Pendarovski, President i shtetit.
Ish kryeministri Zoran Zaev, i cili zbuloi skandalin e përgjimeve dhe publikoi një pjesë të “bombave” si lider opozite në atë kohë pyet se cilat janë hapat e radhës.
“Me dy vendimet e anuluara, ka një referencë të drejtpërdrejtë për kthimin, pra për përsëritjen e veprimeve të tmerrshme të regjimit dhe natyrisht motivohen edhe aktorë të tjerë që të bëjnë veprime të njëjta të tmerrshme, të cilët shkelin në mënyrë masive të drejtat e njeriut dhe të gjitha vlerat për të cilat luftoi i gjithë populli, vetëm pak vite më parë përmes Revolucionit Shumëngjyrësh. Çfarë është e radhës, Mijallkov të bëhet drejtor i ASK-së dhe Gruevski të kthehet i pafajshëm me kalë të bardhë? Edhe nëse ne nesër bëhemi anëtar të BE-së, nuk do ta lajë këtë turp”, u shpreh Zoran Zaev, ish-kryeministër.