Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka deklaruar se VMRO-DPMNE po ushtron presion të vazhdueshëm ndaj koalicionit VLEN që të pranojë një kandidat për komunën e Strugës të propozuar nga vetë VMRO-ja, duke kërkuar që ai të promovohet si kandidat i VLEN-it.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka folur hapur në një intervistë për emisionin “PikëPodkast” në ALMAKOS dhe ORA24 TV, ku ka trajtuar raportet me BDI-në, zhvillimet brenda koalicionit VLEN dhe komunikimet me liderët politikë.
Ponetime:
“E dërguam BDI-në në opozitë, por ajo nuk është reformuar”
Taravari theksoi se është i lumtur që Aleanca për Shqiptarët ishte pjesë e ndryshimit politik që e çoi BDI-në në opozitë, por shtoi se:
“BDI ende nuk është reformuar. Asaj i duhet kohë për t’u reformuar.”
Kritika për Azir Aliun: “Shkon ku bëhet ministër”
Duke komentuar marrëdhëniet me ish-ministrin Azir Aliu, Taravari ishte i drejtpërdrejtë:
“Ai është njeri që kalon andej ku bëhet ministër. Po t’i thuhet se nuk do të jetë ministër, nuk do të qëndronte askund.
“VLEN nuk funksiononte – Aleanca ishte trup i huaj”
Për koalicionin VLEN, Taravari u shpreh se ishte një projekt i paqëndrueshëm:
“Në strukturë nuk funksiononte. Kishte ankesa të vazhdueshme se po bllokohej nga ky ose ai. Pavarësisht komunikimit mes liderëve, ASH-ja ishte si trup i huaj aty.”
Oferta për bashkim u refuzua – pasojat u ndjenë më vonë
Pas zgjedhjeve, Taravari kishte ofruar që të krijonin një parti të përbashkët, por kjo iniciativë u refuzua me kërkesën që të pritej pas zgjedhjeve.
“Kjo zvarritje na solli deri këtu”, theksoi ai.
Komunikimi i parë me Ali Ahmetin – pa dijeninë e Taravarit
Taravari zbuloi se kontakti i parë me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, ishte bërë përmes Azir Aliut:
“Azir Aliu ka komunikuar me Ali Ahmetin pa dijeninë time që nga janari, dhe më pas më ka informuar për këtë.”
Takimi me Albin Kurtin – “VLEN ishte shtrirë për toke”
Duke folur për takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe liderët e tjerë të VLEN-it, Taravari theksoi se nuk është diskutuar për ndonjë marrëveshje me BDI-në:
“U fol vetëm për situatën në qeveri, ku VLEN ishte shtrirë për toke.”
Aleanca nuk ka lëvizur – vetëm 5 nëndegë kanë ndryshuar
Në fund, Taravari mohoi çdo marrëveshje me BDI-në dhe nënvizoi qëndrueshmërinë e Aleancës për Shqiptarët:
“Aleanca është aty ku ka qenë. Nga 250 nëndegë, vetëm rreth pesë kanë lëvizur.”