Në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Aleancës për Shqiptarët, kreu i Kuvendit të kësaj partie, Arben Fetai, është shkarkuar nga krahu i Arben Taravarit. Mbledhja e Kuvendit, siç tha Taravari, është iniciuar nga 2/3 e anëtarëve dhe vjen pak ditë pasi disa nga zyrtarët e lartë të partisë kundërshtuan vendimin e tij për largim nga Qeveria dhe koalicioni. Nazim Taipi është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të ASH-së.
“Kemi përjashtuar edhe disa anëtarë të kryesisë, të cilët tashmë po shprehen publikisht kundër Aleancës për Shqiptarët. Anëtarët e kryesisë që u përjashtuan janë gjithsej tetë nga 46 anëtarë të Kryesisë Qendrore, kështu që vazhdon me shumicën e anëtarëve, ndërsa kuvendi me shumicë absolute në Kuvendin Qendror. Për Mimoza Musën nuk është marrë vendim, sepse mesazhi nuk është përcaktuar mirë, a do të mbetet me Aleancën për Shqiptarët apo me Vlenin, nuk kemi një mesazh të qartë”, tha Taravari.