Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka thënë sonte se brenda pak ditësh do të dihet nëse ata do të jenë ose jo pjesë e Qeverisë.
“Mendoj se brenda pak ditësh duhet të vendosim. Kam në plan që javën e ardhshme të mbledh Kryesinë Qendrore dhe ta përfundoj këtë punë”, tha Taravari në emisionin “Vin-Vin” të Thelma TV.
Ai shtoi se po marrin mesazhe të qarta, se nuk është mirë të shkohet në zgjedhje të parakohshme në 2023, duke theksuar se do të mbështesin edhe një qeveri të pakicës pa marrë post ministror apo drejtori, por duke siguruar edhe kuorum në Kuvend. Megjithatë ai shtoi se Qeveria duhet të përpiqet të bëjë 80 deputetë për ndryshime kushtetuese.
{Këtë e kemi ofruar edhe ne dhe po e them publikisht, por jemi të gatshëm të marrim disa përgjegjësi dhe mundësisht të menaxhojmë disa institucione”, tha Taravari.
Kryetari i ASH-së pohon se në takimet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski nuk është diskutuar fare për çështjet kadrovike. Me kryetarin e Alternativës, Taravari thotë se kanë komunikim relativisht të mirë dhe se janë takuar dy herë dhe se qëllimi i tyre nuk është që dikush të largohet nga Qeveria, por që ASH të japë kontributin e saj qoftë nga jashtë, qoftë nga brenda.
Taravari thekson se periudha në të cilën ndodhet vendi është pak më ndryshe nga ajo para shkurtit 2022. Pushtimi i Rusisë në Ukrainë, sipas Taravarit, ka ndryshuar shumë gjëra dhe fillimi i procesit të skriningut të vendit, së bashku me Shqipërinë, kanë sjell një situatë në të cilën nuk duhet të mendohet vetëm për vlerësimin e partisë, por edhe për të mirën e qytetarit të thjeshtë si dhe ndaj shoqërisë.
Sipas tij, VMRO-DPMNE sillet sikur ASH duhet të mbetet në opozitë. Sipas tij, me një numër prej 64 deputetësh është shumë më e vështirë të arrihet numri prej 80 deputetësh, por nëse do të ketë 70-72 deputetë, plus BESA, atëherë do të jetë më e lehtë sigurimi i numrave. Sipas tij, ndryshimet kushtetuese do të kërkonin të paktën tetë vota më shumë. (INA)