Arben Taravari, kryetari i komunës së Gostivaritm sot i prezantoi të arriturat e udhëheqësisë së re komunale për 100 ditët e para të mandatit 2017-2021. Si të arritura më të mëdha, i përmendi shlyerjen e borxheve dhe ndikimin e politikës në sferën e arsimit.
“E depolitizuam arsimin duke bërë emërime të drejtorëve kryesisht të propozuar nga vetë kolektivet e shkollave. Kuadrin arsimor joadekuat e zëvendësuam me kuadër të profilit të caktuar. E depolitizuam, po ashtu, edhe Këshillin Rinor të komunës së Gostivarit, pa mos ndikuar fare në zgjedhjen e kryesisë. Për vetëm 100 ditë, duke racionalizuar skajshmërisht shpenzimet joproduktive, kemi arritur të paguajmë mbi 300 mijë euro borxhe të trashëguara. Te transporti i nxënësve, duke mos favorizuar kompani përkatëse, arritëm që të kursejmë 250 mijë euro për një vit, mjete këto të cilat do t’i shfrytëzojmë për investime për përmirësimin e kushteve nëpër shkollat publike”, tha Taravari në konferencën për shtyp.
Ai, theksoi se me mbështetjen e donatorëve dhe biznesmenëve nga Gostivari, është gjetur zgjidhje e përkohshme e problemit me çatinë e shkollës “Goce Dellçev”, ndërsa në një të ardhme të afërt, problemin do ta zgjidhin për afat të gjatë. Taravari pret që këtë pranverë të vendoset në funksion edhe filtër stacion për ujë të pijshëm, ndërsa nënvizoi edhe se me ndihmën e Ambasadës së Zvicrës të fillojnë punimet në deponinë Rusino për çka është nënshkruar edhe memorandum me nëntë komuna të Pollogut. Kryetari i komunës paralajmëroi edhe ndryshime në mënyrën e ndriçimit publik, ndërsa u lavdërua edhe me riorganizimin e administratës dhe efekte të rritura nga kjo.
“Formuam ekipin e protokollit dhe marrëdhënieve me publikun, me qëllim që të rrisim transparencën dhe lehtësuam qasjen e lirë deri te informatat me karakter publik. Për herë të parë në komunën e Gostivarit u organizua prezantim i propozim-buxhetit para qytetarëve dhe u debatua mbi të njëjtin. Rritëm të hyrat nga tatimet për rreth 20 për qind në muajin janar të vitit 2018, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar 2017 Kjo flet se është rritur besueshmëria e qytetarëve në institucionin komunë”, tha Taravari.
Në prezantimin për “njëqind ditët punë” Taravari i përmendi edhe takimet dhe kontaktet me shumë biznesmenë dhe investues potencialë nga vendi dhe jashtë, me ç’rast është shprehur gatishmëria që t’u ofrohen atyre favore infrastrukturore me qëllim që ata të investojnë në komunën e Gostivarit.
“Kemi realizuar takime të shumta me ambasadorë, si në komunën e Gostivarit , ashtu edhe në selitë e ambasadave. Realizuam takim edhe me kryetarët e dy kryeqyteteve shqiptare Tiranës dhe Prishtinës, gjegjësisht me z. Erion Veliaj dhe z. Shpend Ahmeti”, potencoi ai. Në fund të prezantimit, Taravari informoi se komuna e Gostivarit fitoi grand nga UNDP-ja dhe Bashkimi Evropian në vlerë prej 120 mijë euro.