Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të partisë së tij në Qeveri, por ka theksuar se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm nëse arrihet një marrëveshje e re politike.
I ftuar në emisionin “Debat te Shenja”, Taravari tha se do të ishte “poshtëruese” që Aleanca për Shqiptarët të rikthehej në ekzekutiv në të njëjtat rrethana në të cilat e kishte braktisur atë.
“Vetëm me një marrëveshje të re që do të garantonte të paktën fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe realizimin e ndryshimeve kushtetuese, mund të flasim. Përndryshe, nuk ka asgjë për të diskutuar”, deklaroi Taravari.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur në skenën politike po qarkullojnë spekulime për rikonfigurime të mundshme brenda shumicës qeverisëse dhe afrime të reja politike.
Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët së fundmi ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ligjet që lidhen me projektin “Qyteti i Sigurt”, duke vazhduar kritikat ndaj disa politikave të qeverisë.
Mbetet të shihet nëse deklaratat e Taravarit janë një sinjal për negociata të reja politike apo thjesht vendosje e kushteve për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen.


