Arben Taravari ka reaguar ashpër ndaj akuzave të bëra nga Nevzat Bejta gjatë konferencës së fundit për shtyp, duke i cilësuar ato si fabrikime dhe shpifje me qëllim mashtrimin e opinionit publik. Në një kumtesë për media, Taravari thekson se Bejta “edhe pse nuk meriton përgjigje”, po tenton të dezinformojë qytetarët, të cilët sipas tij e njohin mirë të kaluarën politike të tij, si dhe vjedhjet dhe plaçkitjet që lidhen me emrin e tij.
Në vend të akuzave të pavërteta, Taravari kërkon që Bejta të japë sqarime konkrete për çështje të rëndësishme, si realizimi i aksioneve në hidrocentrale, burimi i investimeve mbi 30 milionë euro në Mavrovë, shitja e tokave shtetërore në Gostivar gjatë qeverisjes së tij, si dhe për dosjet për keqpërdorime të dyshuara që e ndjekin aktualisht.
Reagimi ngre gjithashtu pyetje për pasuritë dhe jetën luksoze të Bejtës, duke vënë në dyshim nëse ato mund të jenë krijuar vetëm me pagën e kryetarit të komunës gjatë kohës sa ka ushtruar funksionin. Taravari shton se qytetarët e Gostivarit e dinë mirë se kush ka punuar ndershëm për qytetin dhe kush ka plaçkitur gjatë tetë viteve të qeverisjes së Bejtës. Ai kujton se Komuna e Gostivarit ka qenë gjithmonë nën mbikëqyrjen e inspektorateve dhe revizioneve, pa asnjë konstante për keqpërdorim të fondeve publike.
“Për këto shpifje dhe trillime, Aleanca Kombëtare për Integrim do të përgjigjet në mënyrë institucionale. Ky kandidat po dëshmon edhe një herë se është humbës i përsëritur politik dhe manipulator i opinionit publik,” theksohet në reagim. Taravari vlerëson se paraqitja e fundit e Bejtës është një përpjekje për hakmarrje politike ndaj qytetarëve të Gostivarit, pas humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore.
“Ky është reagimi ynë i parë dhe i fundit ndaj këtij kandidati të komprometuar,” përfundon kumtesa.


