Kryetari i ASH-së, Arben Taravari, theksoi se Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut u formua pesë muaj më parë dhe kryeministri i parë që u prit ishte Albin Kurti.
Ai shtoi se takimi i parë bilateral i kryeministrit Mickoski pas zgjedhjes së tij ishte vizita në Kroaci, ndërsa mbledhja e parë ndërqeveritare ishte me qeverinë e Kosovës.
“Dhe këto tre ngjarje janë porosi në vete për gjithë ata që mendojnë se kjo qeveri është antishqiptare. Në krahasim prej periudhës para pesë muajsh kur Vuçiqi me Ahmetin shëtitnin në Ohër e Shkup, kur Bujar Osmani vizitonte më shumë Beogradin se Kosovën, tash ndodh e kundërta. Nuk mund të ndalim asnjë zyrtar të qeverisë ta viziton Beogradin, por Vuçiqi nuk mund të shëtitet me zyrtarët e VLEN-it në Shkup dhe Ohër”, tha Taravari.
Taravari mbështeti deklaratat e Kurtit për gjuhën shqipe, duke theksuar se Kurti ishte i drejtë. Ai shpjegoi se ekzistojnë katër ligje për gjuhët që nga viti 2002, dhe se kriza për gjuhën buron nga Kushtetuta, ku gjuha zyrtare është maqedonishtja dhe një tjetër gjuhë që flitet nga mbi 20% e popullatës.
Taravari kritikoi shqiptarët që nuk insistuan për ndryshimin e Kushtetutës në momentet kur kjo ishte e mundur.