Kryeparlamentari i Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka uruar të gjithë qytetarët ditën e kryengritjes popullore, 11 tetorin.
Ai nëpërmjet një komunikate për media, në emër të tij dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, uroi këtë festë dhe e cilësoi si simbol i luftës për liri.
Në vijim keni dhe urimin e plotë të kryeparlamentarit Xhaferi:
” Të nderuar qytetarë, kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, t’ua uroj 11 tetorin, Ditën e kryengritjes popullore, simbolin e luftës për liri.
Në këtë ditë, para shtatëdhjetegjashtë vitesh, populli në Republikën e Maqedonisë në mënyrë të qartë dhe pa ekuivokë qëndroi kundër fashizmit, kundër të keqes më të madhe në historinë njerëzore, në anën e drejtësisë përkundrejt padrejtësisë. Shumë luftëtarë, të njohur dhe të panjohur, e flijuan jetën në atë luftë nacionalçlirimtare dhe antifashiste.
Sot, duke e kremtuar 11 tetorin, ne e nderojmë veprën e tyre të madhe dhe sakrificën e tyre. Falë guximit dhe qëndrueshmërisë së tyre, Maqedonia është shtet i lirë dhe i respektuar i cili ec në rrugën e integrimeve euroatlantike, që janë përcaktimi strategjik dhe prioriteti kryesor në zhvillimin e shtetit tonë. Duke ecur në atë rrugë, së bashku, me mirëkuptim të ndërsjellë, respektim dhe kultivim të dallimeve ndërmjet të gjithë qytetarëve, jemi të bindur se ky shtet i jonë do të bëhet shtëpia e përbashkët e të gjithë qytetarëve të cilët ardhmërinë e vet dhe ardhmërinë e gjeneratave të ardhshme do e shohin në një Republikë të Maqedonisë demokratike, të fuqishme, moderne dhe evropiane!
Urime 11 tetori dhe për shumë vite!”, ka thënë Talat Xhaferi.