Talat Xhaferi është përgjegjës të caktojë kohën kur do të vazhdojë debati për ligjin për gjuhët. Sipas tij nuk parashikohet sëshpejti, por thotë se kur do të jetë momenti do ta caktojë debatin në parlamentin e RM-së.
“Është kompetenca ime, kur do t’i vije rendi do ta caktoj, do pritet që të kryet mandati i deputetëve që kanë shkuar për atë punë, sepse tani duhet “gishta” për këtë punë”, thotë Xhaferi, për Almakos. Ai shton se për mediat do të ketë informatë në kohë se kur do të vazhdohet, ndërsa nesër do të ketë seancë të re dhe do të shikohet si shkojnë punët.
Ndryshe, kanë kaluar tetë ditë nga përfundimi i rrethit të dytë zgjedhor dhe në Parlament ende nuk është në agjendë vazhdimi i debatit parlamentar, pra me fillimin me leximin e dytë të Ligjit për gjuhët. Siç edhe dihet të hënën, në Parlament pati dy seanca – ajo numër 6 në lidhje me raportet vjetore të disa komisioneve shtetërore dhe seanca e 8-të me rend dite ndryshime të ligjeve aktuale, por jo edhe pika për Ligjin për gjuhët.
Pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, njëri ndër prioritetet e shumicës parlamentare LSDM-BDI-ASH mbetet miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndryshe Ligji për gjuhën shqipen.
Prtitë e shumicës parlamentare – BDI, LSDM, RDK dhe ASH, për mediat në vend kanë thënë se presin që kryetari Talat Xhaferi të caktojë kohën kur do të vazhdojë debati, pastaj të japin qëndrime konkrete në lexim të dytë.
Shumica parlamentare vendosi, para zgjedhjeve, që ky ligj të ketë shenjën e BE-së, me çka sipas tyre, është bërë për të shmangur debatin në seancë plenare dhe në komisione parlamentare. Ligji për shqipen kaloi vetëm në lexim të parë, ndërsa pati kritika të ashpra nga deputetët e VMRO-së.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, për mediat në vend ka thënë se është domosdomoshmëri e kohës në të cilën po jetojmë që marrëdhëniet ndëretnike të relaksohen jo vetëm me avancimin e gjuhëve joshumicë, por edhe në aspekte tjera shoqërore.
“Para zgjedhjeve kishim lexim të parë, tani presim që sa më shpejtë të vazhdohet me procedimin e mëtejshëm parlamentar, me çka besoj se kryetari i Parlamentit do të vendosë shpejtë për lexim të dytë. Ajo që ka rëndësi është se nuk ka ndryshuar aspak vullneti pozitiv i shumicës parlamentare për të miratuar Ligjin në fjalë. Personalisht mendoj se është domosdoshmëri e kohës që të kemi marrëdhënie ndëretnike më të relaksuara dhe më të përparuara jo vetëm nga aspekti i avancimit të gjuhëve, por edhe aspekteve tjera arsimore, ekonomike, e sociale”, thekson Tuntevi i LSDM – së.
Nga Lëvizja BESA, deputeti Fadil Zendeli thotë se ligji për gjuhën shqipe nuk miratohet, por vetëm se e avancon atë. Partia e tij do ta përkrah propozimin e këtij ligji, por kanë dilemë se a do të zbatohet nga ata që janë në Qeveri.
“Nëse flasim parimisht, më duhet të them se ky Ligj nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe, por bën vetëm një avancim shumë më kualitativ të gjuhës shqipe se sa Ligji që është tani, e të cilin sollën dyshja BDI-VMRO më herët. Ne si parti, megjithatë do të përkrahim këtë propozimligj, por dilema mbetet nëse do të zbatohet si duhet nga ata që janë në Qeveri, sepse e kaluara nuk flet mirë kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjeve në dobi të shqiptarëve”, thotë Zendeli nga BESA.
Për ASH-në, miratimi i Ligjit në fjalë mbetet prioriteti dhe se duhet sa më shpejt të miratohet.
“Ligji për shqipen duhet që sa më shpejtë të kthehet në Parlament dhe mos të humbet kohë më shumë duke e miratuar atë. Për ne, Ligji për gjuhën shqipe mbetet prioriteti dhe arsyeja kryesore pse ne vazhdojmë të jemi partner në Qeveri me LSDM – në dhe BDI-në, sidomos pas asaj çfarë ndodhi në Strugë me zgjedhjet lokale”, thonë nga ASH.
D.K
Almakos.com