Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ka pritur sot në një takim të shkurtër homologun e tij bullgar Rumen Radev, me të cilin bashkë do të udhëtojnë në Romë dhe Vatikan. Gjatë qëndrimit të shkurtër në aeroportin ndërkombëtarë në Shkup, dy presidentët kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale me theks të posaçëm për mosmarrëveshjet mes dy vendeve dhe kanë shfaqur shpresën se me dialog problemi do të zgjidhet dhe RMV-së do t’i hapet rruga për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
– Advertisements –
“Dëshiroj të falënderoj kolegun dhe mikun tim presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, zotin Stevo Pendarovski për mikpritjen, edhe pse bëhet fjalë për një vizitë shumë të shkurtër. Ne bashkë do të udhëtojmë deri në Romë për të nderuar vëllezërit Kiril dhe Metodi, kjo paraqet edhe një rast të shkëlqyeshëm që të rimëkëmbim dialogun mes dy palëve tona në nivelin më të lartë dhe të shprehim vullnetin tonë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në frymën e fqinjësisë së mirë”, deklaroi Rumen Radev, president i Bullgarisë.
“Kemi rastin ndonëse shumë shkurt që ta presim në Shkup presidentin e Republikës së Bullgarisë, arsyeja është e shkëlqyeshme, shkojmë bashkë në Romë, në Vatikan për të nderuar vëllezërit Kirill dhe Metodi. Kuptohet përveç kësaj që e bëjmë çdo vjet, do të flasim edhe për temat tjera që ndërlidhen me marrëdhëniet dypalëshe mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë. Takimi i sotëm ishte vetëm një takim i shkurtër do të kemi rast të flasim edhe në Romë si dhe gjatë kthimit që të flasim. Nga takimi i sotëm nuk ka ndonjë epilog sepse ishte një takim sa për të pirë një kafe miqësore dhe bisedime se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 2-3 ditëve në Bruksel. Bisedimet mes dy vendeve tona i udhëheqin qeveritë, kuptohet ne jemi këtu, për ta relaksuar atmosferën dhe të flasim për këtë problem që ekziston mes vendeve tona”, tha Stevo Pendarovski, president i Republikës së Maqedonisë së Veriut