Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, realizoi takim zyrtar me ambasadorin e SHBA-së, në RM, Xhes Bejli, i cili i shprehi urime të përzemërta për zgjedhjen në funksionin e kryetarit të Kuvendit, si hap shumë i rëndësishëm në konsolidimin dhe stabilitetin e situatës politike në Republikën e Maqedonisë
Ambasada e SHBA-së punon në mënyrë të koordinuar me Delegacionin e Europës, pasi aktivitetet që vijojnë janë të një rëndësie të madhe për të ardhmen e shtetit.
“Në kornizë të hapave të rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë, Ambasador Bejli, theksoi formimin e Qeverisë së re, për të cilën kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, e informoi për hapat që do ti ndërmerr në atë drejtim, për procedurat e përcaktuara në kushtetutë, ligjin për Kuvend dhe rregulloren, duke nënvizuar se ai ka për detyrë që ti zbatojë dhe të përgjigjet për të gjitha autorizimet e tij, pasi t’i paraqitet propozim për punën e qeverisë dhe program për të njëjtën”, thuhet në komunikatën e kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.
Poashtu, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, realizoi takim zyrtar edhe me ambasadorin francez, Kristian Timonie, ku në takim Timonie e ka uruar Xhaferin për funksionin e ri. Ai riafirmon se ky hap, është një ndër hapat e ardhshëm për formimin e Qeverisë së re, si shprehje e lartë demokratike e shumicës së qytetarëve të Maqedonisë.
“Bashkëbiseduesit ndanë këndvështrimet e tyre për hapat eventuale të padëshiruara në këtë drejtim, pas çka zotëri Xhaferi e riafirmoi qëndrimin e tij se: vendi për debate dhe përballja e qëndrimeve politike dhe mendimeve është në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, sepse ai është organ legjitim I qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, thuhet në komunikatë.

