Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, sot pati takim zyrtar me ambasadorin e Kanadasë në RM, Filip Pinington.
Duke pasur parasysh faktin se presidenti i vendit sot e realizoi detyrimin e tij kushtetues dhe i dha mandatin bartësit të shumicës paralamentare, Xhaferi, citohet në njoftim, theksoi se me këtë mënyrë janë hapur proceset për formimin e qeverisë së re dhe për konstituimin e trupave kuvendore.
“Hapat vijues në punën e Kuvendit do të jenë pikërisht në këtë drejtim, si dhe në miratimin e ndryshimeve të parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për vetëqeverisje lokale, në kontekst të zgjedhjeve të parashikuara lokale në vjeshtë”, tha Xhaferi.
Lidhur me ngjarjet në Kuvend më 27 prill, kryetari Xhaferi shprehu besim në drejtësi dhe në institucionet e sistemit se secili do të mbajë përgjegjësi për këto ngjarje, që të gjithë së bashku të tregojmë se kjo nuk duhet të përsëritet dhe nuk duhet që të mbetet e pa dënuar.
Pinington siç thuhet në njoftimin e Kuvendit theksoi se Kanadaja në mënyrë të qartë dhe të dukshme shprehu përkrahje për proceset e ndryshimeve demokratike në vend gjatë tranzicionit të pushtetit-shkruan MIA.