Ministri për Vetëqeverisje Lokale, Suhejl Fazliu sot është takuar me ambasadorin e Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë, Tomas Gerberih. Në takim, njoftojnë nga kabineti i ministrit, ai e ka njoftuar ambasadorin Gerberih për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale dhe Agjencisë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar – GIZ. Ministri Fazliu ka thënë se dikasteri me të cilin ai udhëheq si një nga mbështetësit më të rëndësishëm veçon Agjencinë gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar – GIZ, me të cilën ka bashkëpunim më shumë se një dekadë. “Strategjia për zhvillimin regjional dhe Ligji për zhvillim të barabartë regjional u përgatitën me asistencë teknike të GIZ-it, e cila vazhdoi edhe gjatë periudhës së zbatimit. Të rëndësishme janë rezultatet që janë arritur bashkërisht në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve të Qendrave për zhvillimin e regjioneve planore. Në bashkëpunim me GIZ-in, janë përgatitur programet për zhvillimin e regjioneve planore dhe Strategjitë rajonale për inovacion”, theksoi ministri Fazliu. Ministri i Vetëqeverisjes Lokale e ka njoftuar ambasadorin se zbatimi i politikës për zhvillim të barabartë regjional, tani mbështetet kryesisht nga Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim.
Ministria, ka thënë ai, duke u bazuar në bashkëpunimin deritashëm afatgjatë dhe rezultateve të arritura, është e interesuar për ripërtëritjen e partneritetit dhe mbështetjes, në mënyrë siç do të arrihet marrëveshja ndërmjet të dyja palëve. “Ministria për Vetëqeverisje Lokale është shumë e interesuar për vazhdimin e bashkëpunimit, sidomos në fushën e zhvillimit regjional, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë, si dhe për bashkëpunim bilateral për forcimin e kapaciteteve të Ministrisë dhe Qendrave për zhvillim regjional. Sigurisht, është me interes edhe mundësia e bashkëpunimit në nivel lokal, në fusha të ndryshme, para se gjithash për nxitjen e zhvillimit lokal”, ka theksuar ministri Fazliu.