Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë, u zhvillua një takim informues dhe miqësor me përfaqësuesit e shoqatave shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci që veprojnë në Zvicër.
Në takim morën pjesë mbi 20 përfaqësues të rreth 20 shoqatave humanitare dhe kulturore nga Lugina, të cilat kanë dhënë dhe vijojnë të japin një kontribut të çmuar për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe forcimin e lidhjeve me vendlindjen.
Përfaqësuesit u pritën nga, Sekretari i Parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bernë, z. Valon Gashi, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, z. Mentor Latifi, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë, z. Rexhep Demiri, si dhe Diplomati i Ambasadës së Kosovës, z. Gjenis Haxhimehmeti
Gjatë bashkëbisedimit u theksua rëndësia e unitetit dhe koordinimit të shoqatave, si dhe mundësitë për një bashkëpunim më të ngushtë me Ambasadën e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Zvicër.
Në përfundim të takimit, me dakordësi të përfaqësuesve të shoqatave, u vendos që për të vijuar me rrotacionin e Kryesisë së Lidhjes së Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Zvicër, të organizohet Kuvendi i ardhshëm i Lidhjes më 15 qershor 2025.
Ambasada e Shqipërisë në Bernë shpreh mirënjohje për angazhimin dhe frymën bashkëpunuese të të gjitha shoqatave pjesëmarrëse.