Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski, i shoqëruar nga nënkryetari Aleksandar Nikolloski, sot realizoi takim me kryeministrin e Republikës së Hungarisë dhe lider i partisë qeveritare FIDEZ Viktor Orban, i cili ishte i shoqëruar nga ministri Antal Rogan.
Në takim, njoftojnë nga partia, bashkëpunimi i deritanishëm midis VMRO-DPMNE-së dhe FIDEZ-it është vlerësuar si i shkëlqyeshëm dhe nga të dyja palët është potencuar se i njëjti duhet të vazhdojë të zhvillohet edhe në të ardhmen. Kryeministri Orban ka shprehur mbështetje të plotë për udhëheqësinë e re të partisë.
Kryetari Mickoski dhe kryeministri Orban kanë biseduar edhe për marrëdhëniet midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Hungarisë, me ç’rast qartë është shprehur mbështetja e sinqertë nga Viktor Orbani për Republikën e Maqedonisë në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.
“Pa dallim që vepron si opozitë, VMRO-DPMNE-ja do të vazhdojë t’i shfrytëzojë të gjithë kontaktet dhe miqësitë e saj për promovimin dhe përshpejtimin e integrimeve euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë”, thuhet në kumtesën nga partia.
Kryetari Mickoski e ka informuar Orbanin për situatën aktuale politike në Republikën e Maqedonisë, duke potencuar se pushteti kryen terror politik mbi ata që nuk kanë mendime të njëjta.
Në takim është theksuar se Maqedonia po ngec edhe në planin ekonomik dhe në sferën e demokracisë me sistem të prishur tërësisht të qeverisjes së të drejtës si shtyllë themelore e shoqërisë së shëndetshme. Si problem i posaçëm është biseduar edhe për lirinë e mediave të cilat janë nën presion lidhur me observimin kritik të politikave qeveritare.
Orban dhe Mickoski kanë konkluduar se bashkëpunimi midis VMRO-DPMNE-së dhe FIDEZ-it edhe më tej do të vazhdojë që të zhvillohet në drejtim të thellimit të marrëdhënieve miqësore, si dhe në drejtim të ndarjes së përvojave midis dy partive.