Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot u takua me Ketlin Çaba, ambasadore e posaemëruar të Kanadasë në Republikën e Maqedonisë, me seli në Beograd.
Siç kumtoi pres-shërbimi i Kuvendit, gjatë takimit u konstatua se mes dy vendeve miqësore nuk ka asnjë çështje e hapur. U bisedua për mundësitë e përparimit të marrëdhënieve të përgjithshme ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Kanadasë, si edhe për intensifikimin e kontakteve në nivel parlamentar, me ç’rast kryetari Xhaferi drejtoi ftesë të hapur ndaj kryetarit të parlamentit kanadez. Në këtë kontekst, kryetari i Kuvendit shprehu shpresë se së shpejti do të vijë deri te nënshkrimi i Deklaratës për bashkëpunim dhe partneritet strategjik me Kanadanë. Njëkohësisht, e vlerësoi lartë përkrahjen që Kanadaja ia jep Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në BE. Ambasadorja Çaba, thuhet në kumtesë, me kënaqësi theksoi se Kanada është ndër vendet e para që e uruan zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe potencoi se kryetari Xhaferi, me punën e tij të deritanishme ka kontribuuar shumë në normalizimin e funksionimit të institucionit. Kanada, tha ambasadorja Çaba, i mbështet fuqishëm aspirimet euroatlantike të Republikës së Maqedonisë dhe i përcjell me vëmendje reformat në planin e brendshëm që bëhen në atë drejtim, mirëpo, i përshëndet edhe aktivitetet e ndërmarra për zhvillimin e politikës së fqinjësisë së mirë, siç ishte nënshkrimi dhe ratifikimi i Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë, dhe intensifikimin e paradokohshëm të bisedimeve me Republikën e Greqisë, në drejtim të gjetjes së zgjidhjes për çështjen e emrit. Ambasadorja u interesua edhe për punën e përditshme të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, dhe për qëndrimet e kryetarit për çështje të caktuara aktuale për shtetin dhe shoqërinë.
“Konstatim i përbashkët ishte se arritja e prioriteteve strategjike të Republikës së Maqedonisë do të jetë sukses dhe impuls pozitiv jo vetëm për vendin por edhe për gjithë rajonin”, thuhet në kumtesën e pres shërbimit të Kuvendit.