01 May
Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sot në takimin me Hojt Brajan Ji, zëvendës-ndihmës i sekretarit shtetëror për çështje evropiane dhe euroaziatike të SHBA-së, dënoi çdo dhunë politike dhe fizike dhe theksoi se vetëm përmes dialogut duhet të kërkohen zgjidhje për gjendjen e krijuar politike.
Siç kumtoi Kabineti i presidentit, Ivanov nënvizoi se nëse ekziston lidership i vërtetë prej kryetarëve të partive parlamentare, pengesat juridike dhe politike për përcaktimin e mandatit për konstituimin e Qeverisë janë të tejkalueshme.
Presidenti i Maqedonisë, kërkoi nga SHBA-ja, si partner strategjik i Republikës së Maqedonisë, të ndihmojë që pengesat të mënjanohen dhe të mundësohet që shumica parlamentare ta marrë mandatin.
“Precedentët me të cilat vendoset praktikë, ndërsa ilegalja bëhet legale i minon parimet themelore të demokracisë”, theksoi presidenti Ivanov, theksohet në kumtesë.
Njëherësh, siç thekson, Ivanov kërkon nga lideri i LSDM-së ta plotësojë fjalën e dhënë publikisht se “së bashku me partnerët e koalicionit do të vijnë dhe do të sigurojnë garanci për përforcimin e unitetit të shtetit dhe se gjithçka do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”.
“Deklarata e Tiranës nuk mund të jetë kusht dhe as bazë për formimin e Qeverisë në Republikën e Maqedonisë”, konstatoi presidenti i Maqedonisë, i cili njëherësh ju bëri thirrje qytetarëve të jenë të përmbajtur dhe të kenë durim, pasi që, ekzistojnë zgjidhje të cilat duhet të sillen me maturi dhe përmes dialogut.