Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nga Kosova, ku ndodhet për një vizitë pune, ka kërkuar nga Interpol të rishikojë urdhër-arrestet e lëshuar nga Serbia, duke e cilësuar arrestimin e Ramush Haradinajt tërësisht të paligjshëm dhe të tepërt.
“Unë kam pasur rastin të diskutoj me të gjithë aktorët ashtu si mbetet një çështje në agjendën tonë edhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Interpol gjë që do ta bënte shumë më të mundur dhe një zë shumë më të fortë nevojën për zgjidhjen definitive të këtyre çështjeve. Pra unë besoj se nuk është çështje procedurash por mbetet një çështje për tu adresuar nëpërmjet procedurave në Interpol”.
Tahiri shtoi se “i kam kërkuar Interpolit të rishikoj dhe të filtrojë dhe të mos konsideroj në vijim çdo urdhër arresti, si bënë edhe në rastin e ish-kryeministrit Haradinaj. Nga ana tjetër ne besojmë shumë fortë te dialogu. Ndaj jam besim plotë dhe kam besim se nuk ka nevojë për asgjë më shumë se sa besimi ynë te institucionet e Kosovës për procesin e dialogut dhe stabilitetin në rajon”, u shpreh Tahiri në një konferencë të përbashkët me homologun e tij Skënder Hyseni.
Kurse, ministri Skender Hyseni deklaroi se ai dhe Ministria e Drejtësisë i kanë shkruar Interpolit për çështjen e flet-arresteve, por që nuk e kanë fuqinë e Shqipërisë, pasi Shqipëria është pjesë e Interpolit.
Hyseni tha se sot biseduan edhe me komisionin parlamentar të së Shqipërisë, ku u bisedua për punët që janë bërë dhe që duhen bërë për bashkëpunim dimensional dhe afatgjatë brenda shqiptarëve.
28 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)