Sot, në lajmet qendrore të Televizionit T7, në kronikën që trajton punimet e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, është lëshuar një gabim në titrat e kronikës, e më pas është bartur si i tillë edhe në Gazetën Express.
Televizioni, duke u thirrur në intervistat e zhvilluara me këshilltarë të Haradinajt, ka transmetuar lajmin se Kryeministri – për shkak të fushatës zgjedhore – nuk do të udhetojë për New York.
Siç dihet, në Javën Presidenciale që zhvillohet gjatë punimeve vjetore të Asamblese së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, marrin pjesë përfaqësues të shteteve të ndryshme. Gjatë këtyre ditëve, liderë nga e gjithë bota takojnë dhe bëjnë fotografi edhe me Presidentin e SHBA’së.
Sipas këshilltarëve të Haradinajt, Kryeministri nuk ka mundësi të udhetojë për shkak të fushatës. Në T7 dhe në Gazetën Express, pastaj ka dalë shkrimi se Haradinaj refuzon Trumpin. Lajmi është demantuar menjëherë nga Haradinaj në profilin e tij në Facebook.
Ndërkohë, Erolld Belegu, këshilltari i Kryeministrit, ka thënë para pak çastesh se asnjëherë nuk i ka thënë gazetares se Haradinaj ka pasur ftesë nga Trump, e rrjedhimisht as nuk i ka thënë se kjo ftesë është refuzuar nga Kryeministri kosovar.
T7 dhe Gazeta Express i kërkon falje opinionit dhe z. Haradinaj për këtë lëshim të paqëllimtë.




