Vendimit të liderit të ASH-së Arben Taravari për të tërhequr partinë nga qeveria ka shkaktuar debate brenda vet partisë. Një tjetër zë kritik është bashkuar reagimeve kundërshtuese, ai i Syrija Rashidit, anëtar i Kryesisë Qendrore të ASH-së dhe ish-deputet nga radhët e ASH-së.
Në një status publik të postuar në rrjetet sociale, Rashidi shpreh shqetësimin për mënyrën se si po paraqitet kjo lëvizje politike.
“Gjithë kjo lëvizje e papritur e ASH-së po shitet si një mister që do të sjellë një të mirë të madhe. Ndërsa e ‘mira’ më e madhe që mund të ndodhë është që të rikthejë Ali Ahmetin në kalë të bardhë,” shkruan Rashidi me ironi.
Reagimi i tij vjen në vazhdën e kritikave në rritje ndaj Taravarit, i cili akuzohet nga bashkëpartiakë dhe ish-aleatë se po e devijon partinë nga rruga e ndryshimit dhe po e afron me strukturat që vetë ASH kishte premtuar t’i sfidonte.