Ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pasi një grup i atletëve u sulmua me armë në pjesën veriore të Kosovës.
Sveçla e quan fat të mirë që nuk ka pasur të vrarë apo të plagosur nga kjo ngjarje.
Ai thotë se incidente të tilla tregojnë për brishtësinë e sigurisë në atë pjesë të Kosovës.
“Me t’u njoftuar për ngjarjen, kam kërkuar nga Drejtori i Policisë së Kosovës që ky rast të hetohet sa më parë. Ky incident dhe të tjerët si ky, na tregojnë që sundimit i ligjit dhe gjendja e sigurisë publike në komunat Veriore të vendit si: Mitrovica Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk është në nivel të kënaqshëm”, njofton Sveçla në Facebook, përcjell Telegrafi.
“Forcimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit është synimi kryesor i yni. Këtë mendojmë ta adresojmë përmes dy drejtimeve: së pari duke luftuar krimin dhe kontrabandën në atë pjesë të vendit dhe së dyti duke rritur bashkëpunimin me qytetarët tanë të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, duke biseduar për shqetësimet e tyre të sigurisë, si dhe duke i adresuar ato”.
“Do të kërkoj nga Policia e Kosovës rezultate konkrete drejt përmirësimit të situatës së sigurisë publike në veriun e vendit në mënyrë që të gjitha aktivitetet nga qytetarët e Republikës së Kosovës të zhvillohen pa incidente të tilla”, ka shkruar më tej Sveçla në Facebook./Telegrafi/