Nata finale e Big Brother VIP Kosova solli momente të paharrueshme dhe emocione të thella, dhe një nga kulmet e saj ishte surpriza e veçantë për Vullnetin.
Ky moment u bë akoma më domethënës pas një deklarate të sinqertë dhe inspiruese nga ai.
Vullneti nisi duke lexuar një letër që kishte shkruar për të reflektuar mbi eksperiencën e tij në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova.
Me shumë ndjenjë, ai ndau emocionet e tij dhe foli për një nga momentet më të rëndësishme të udhëtimit të tij në këtë spektakël – pranimin e seksualitetit të tij para gjithë shqiptarëve.
Në fjalët e tij të sinqerta dhe të fuqishme, Vullneti tha: “Tek e fundit, nuk kam pranuar asgjë të keqe, përveç pranimit të vetes. Dhe këtë të vërtetë nuk mund ta heq as ta fsheh nga vetja ime”.
Kjo deklaratë, e mbushur me guxim dhe vërtetësi, përcolli një mesazh të fortë për pranimin dhe dashurinë ndaj vetes, duke frymëzuar të gjithë ata që e ndoqën këtë moment.
Pas leximit të letrës, Vullneti u surprizua në mënyrë të veçantë. Atij iu dha një mesazh, teksa ndodhej në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova, duke i bërë të ditur se do të kishte mundësinë të takonte familjarët e tij në fshatin Negroc të Drenasit.
Ky lajm emocionues e preku thellë Vullnetin, i cili është shquar gjatë gjithë kohës për sinqeritetin dhe forcën e tij.
Përballja me të kaluarën dhe ndarja e së vërtetës së tij personale me gjithë publikun shqiptar u bë një shembull i guximit dhe i rëndësisë së pranimit të vetes.
Në këto momente, teksa spektakli vazhdon, vullneti është rrugës për t’i takuar familjarët e tij.