Ngjarjet në Kuvend nuk duhet dhe nuk guxojnë të përfundojnë vetëm me aktakuza për vepër penale, pjesëmarrje në turmë ose ushtrim të dhunës. Sipas profesoreshës Besa Arifi, incizimet e shumta të ngjarjeve në Kuvend tregojnë një sërë vepra të rënda penale.
Sipas Arifit, nga incizimet shihet qartë se pas ngjarjeve qëndron organizim serioz. Kështu që, hetimi nuk duhet të përfundoj vetëm me dhunuesit.
Hetimi sipas Arifit, nuk do të ishte i kompletuar edhe pa rishikimin serioz të punës së policisë dhe policëve që nuk ishin në krye të detyrës. Ky element vlerëson ajo, duhet të hetohet në mënyrë të pavarur nga kontrolli i brendshëm i MPB-së. Vetëm hetimi i hollësishëm i të gjitha këtyre elementeve në fund mund ta bindin opinionin se autoritetet do ta zbardhin rastin.

