Një mjek i Klinikës së Toksikologjisë mbrëmë është sulmuar në hyrje të Spitalit shtetëror “Nënë Tereza” në Shkup.
Mjeku me iniciale N. Z. nga fshati Sllupçan i Kumanovës, është plagosur disa herë në pjesën e shpinës me një mjet të mprehtë nga ana e një personi. Policia konfirmon rastin, por nuk jep detaje për shkaqet e sulmit.
Ndërsa jozyrtarisht mësohet se motivet kanë qenë sqarim hesapesh për probleme personale mes mjekut dhe sulmuesit. Nga Klinika e Toksikologjisë thonë se incidenti ka ndodhur jashtë orarit të punës.
“Dëshiroj të demantoj dhe të them se nuk është e vërtetë se incidenti i mbrëmshëm ka ndodhur gjatë orarit të punës së mjekut kujdestar në këtë klinikë. Ngjarja ka ndodhur 30 minuta para fillimit të punës së tij si kujdestar mbrëmë rreth orës 20”,– u shpreh drejtori i Klinikës së Toksikologjisë, Niko Beqarovski.
Ndërkohë, Oda e Mjekëve e Maqedonisë dënon dhunën ndaj mjekut dhe kërkon vënien e sulmuesit para drejtësisë.
“Ne rreptësisht e dënojmë dhunën e kolegut tonë, pavarësisht se cilat mund të kishin qenë arsyet për këtë. Mendojmë se ka shumë mënyra tjera të veprimit të qytetarëve për revoltin ose pakënaqësinë eventuale të mjekëve. Dhuna asnjëherë nuk ka qenë zgjidhje”,– tha kryetarja e Odës së Mjekëve, Kalina Stardellova – Gërçeva.
Sipas informatave, mjeku i sulmuar tani është jashtë rrezikut për jetë. MPB punon në zbardhjen e plotë të rastit.