Erion Vocrri dhe Rivaldo Zmijanej (Planaj) janë dy autorët e sulmit me mbi 100 plumba që tmerroi dhe panikosi mbrëmjen e djeshme banorët e fshatit Gruemirë në Malësi të Madhe.
Për fat të mirë nga sulmi nuk pati viktima.
Mbrëmë në fshatin Gruemirë dy të rinjtë, të moshës 22 dhe 27 vjeç kishin shkuar për të vjedhur, por janë pikasur nga tre banorë të fshatit, me të cilët këta dy shtetas kanë debatuar dhe më pas gjatë largimit kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.
Burime për News 24 bëjnë me dije se njëri prej autorëve të shpallur në kërkim, Rivaldo Zmijanej Planaj është nip i Bardhok Planajt, i cili u ekzekutua me armë zjarri në vitin 2021 në Shkodër.
Bardhok Planaj u ekzekutua më 4 prill të vitit 2021 teksa po udhëtonte me makinë.
Ai njihej me nofkën “Kumbari” dhe është dënuar me burgim në mungesë në 2014-ën nga Gjykata e Rrethit Shkodër për tre vepra penale: “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”.
Asokohe Gjykata e Rrethit të Shkodrës vendosi të sekuestrojë një pallat 10-katësh në pronësi të tij, që kapte vlerën e 2 milionë eurove. Gjithashtu Bardhok Pllanaj, ishte i skeduar nga policia si një person që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.
Bardhok Planaj, njihej si kontigjent kriminal në qytetin e Shkodrës, por gjithmonë ka arritur ti shpëtojë akuzave të rënda dhe të dënohet për vepra penale të lehta si “Moskallëzim Krimi”, “Ndërtim pa lejë” dhe Falsifikim të formularëve”.
Planaj prej 13 majit 2008, administronte në Shkodër kompaninë “OLD-B”, një kompani ndërtimi kjo që merrej me ndërtimin e pallateve. Dënimin e fundit Bardhok Planaj, e ka mori nga gjykata e Shkodrës, në nëntor të vitit 2020, ku u deklarua fajtor dhe u dënua me 3 vjet burgim, i kthyer më pas në 5 vjet shërbim prove.
Emri i tij doli në përgjime të periudhës 2014-2015 ku “Kumbari”, siç thirrej ndryshe në Shkodër, dyshohet se bashkëpunonte me dy grupe kriminale në Vlorë dhe Tepelenë që kryenin trafikun e drogës nga Shqipëria në dy familje Siçiliane në Itali.
Ngarkesa e parë daton në 30 shtator 2014 tek “Rana e Hedhun”, e dyta në 1 tetor 2014 tek laguna e “Vilunit” dhe e treta në vitin 2015 në grykëderdhjen e Bunës në Shkodër.