Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka nisur një fushatë të gjerë sulmesh ajrore kundër anijeve të dyshuara për kontrabandë droge në Oqeanin Paqësor dhe në Detin e Karaibeve, duke përdorur dronë MQ-9 Reaper, aeroplanë AC-130J dhe aeroplanë tjerë luftarakë.
Washingtoni pretendon se synon ta frenojë rrjedhën e drogës në SHBA dhe që nga fillimi i shtatorit, 76 persona janë vrarë në 19 sulme ku u shkatërruan 20 anije, raporton CNN.
Shumica e sulmeve, sipas burimeve, u kryen nga dronë MQ-9 Reaper, të cilët janë të armatosur me raketa Hellfire.
Ndonëse Pentagoni ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht se çfarë pajisjesh përdor, dihet se Ushtria amerikane ka përqendruar forca të konsiderueshme në Porto Riko, duke përfshirë dronë MQ-9 Reaper, avionë luftarakë F-35 dhe të paktën një AC-130J. Supozohet se këto forca përdoren për sulme në Karaibe.
Imazhet dhe fotografitë satelitore konfirmojnë një nivel jashtëzakonisht të lartë të aktivitetit ushtarak në rajon. Baza Detare Roosevelt Roads në Porto Riko, e mbyllur që nga viti 2004, është rikthyer në funksion. Javën e kaluar, një aeroplanë AC-130J i Forcave Ajrore Amerikane u fotografua gjithashtu në El Salvador, në Bazën Amerikane Comalapa.


