Një sulm me lëndë djegëse është shënuar këtë pasdite ndaj pronës së Drejtorit të Tenderave në Tiranë, Taulant Tushës.
Policia njofton se një person ende i paidentifikuar ka hedhur një shishe molotov poshtë një makine të parkuar.
Autoritetet kanë nisur hetimet për ngjarjen, teksa është marrë në pyetje edhe vetë Tusha për të bërë të mundur identifikimin e autorit.
Ky i fundit ka qenë duke lëvizur me biçikletë kur ka kryer aktin dhe po ashtu është larguar, pa u identifikuar.
“Më datë 25.03.2022, në afërsi të Bashkisë Tiranë, një shtetas akoma i paidentifikuar që po lëvizte me biçikletë, ka hedhur një shishe, dyshohet me lëndë djegëse, poshtë mjetit të parkuar në pronësi të shtetasit T. T.
Zjarri është fikur pa shkaktuar dëme.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.



