Bujqit dhe blegtorët ankohen se shteti shumë po u ndihmon jo në zhvillimin e veprimtarisë së tyre, por edhe në sigurimin edhe kushteve më elementare për të mbijetuar. Ata ankohen për vonesa në pagesën e subvencioneve pa të cilat, siç thonë ata, bizneset e tyre do të shuheshin.
“Subvencionet na jepen vetëm atëherë kur të na del shpirti. Subvencionet duhet të jepen diku nga muaji i dhjetë apo i njëmbëdhjetë që bujqit të mund të përgatiten për shpenzimet dimërore …Kërkojmë nga shteti që t’i japë përkrahje bujqve e blegtorëve që të rrisin punën e tyre, pasi të gjitha çmimet janë në rritje e sipër, ndërsa puna jona aspak”, thotë Ismail Mustafi, bujk nga rajoni i Tetovës.
Përveç subvencioneve, ata kërkojnë sigurimin edhe të tregjeve për të shitur prodhimet e tyre, pasi me gjendjen e tanishme, thonë se nuk mund të sigurojnë as mbijetesën e familjeve të tyre.
“As shpenzimet nuk na i mbulojnë, as pagesën e punëtorëve dhe në këtë gjendje siç jemi ne as veten tonë nuk e mbulojmë, si fermer që jemi as 300 euro në muaj nuk mund t’i ndajmë. Ne kemi nevojë të kemi plasman të mishit, djathit, leshit, qumështit. Ne këto për momentin nuk i kemi dhe aspak nuk jemi të kënaqur”, thotë Refet Fidani, blegtor nga Negotina e Gostivarit.

