Një stuhi e fortë, e shoqëruar me reshje intensive shiu dhe breshri ka përfshirë pasditen e sotme rrethin e Gramshit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi.
Gazetari i News 24, Fatmir Popja raporton se Fshati Kukur rezulton të jetë zona më e prekur, ku stuhia ka zgjatur për mbi 15 minuta, duke goditur dhjetëra parcela të mbjella me kultura të ndryshme.
Sipas raportimeve paraprake nga banorët dhe fermerët e zonës, qindra dynymë tokë janë dëmtuar rëndë. Kulturat më të prekura janë agrumet dhe vreshtat, ku humbjet llogariten të jenë të mëdha si në sasi ashtu edhe në cilësinë e prodhimit.
Fermerët shprehen të tronditur nga situata, pasi, siç theksojnë ata, “disa minuta stuhi shkatërruan muaj të tërë pune”.
Ata i kërkojnë autoriteteve vendore dhe qendrore të ndërhyjnë sa më parë për të vlerësuar dëmet dhe për të ofruar mbështetje të menjëhershme për rikuperimin e situatës.
Aktualisht nuk ka ende informacion të plotë mbi gjendjen e rrugëve rurale dhe qasjen në zonat më të prekura, ndërsa pritet një reagim nga strukturat përkatëse të emergjencave civile dhe bujqësisë.