Probleme me ujin e pijshëm, kanalizimin, deponitë e egra. Këto janë vetëm disa nga shqetësimet e banorëve të komunës së Tearcës, e që kandidatët për të marrë drejtimin e kësaj komune, Amir Elezi nga Lëvizja BESA, Ruhan Iljazi nga PDSH dhe Nevzat Veliu nga “Aleanca për shqiptarët”, premtuan se do t’i zgjidhin me ardhjen e tyre në pushtet.
Amir Elezi nga Lëvizja BESA premtoi se me ardhjen e tyre në krye të komunës do të përfundojë praktika e bashkëfinancimit të qytetarëve në projektet që do të realizohen. Elezi tha se për momentin Tearca është në një degradim total.
AMIR ELEZI, LËVIZJA BESA
“Është një komunë e cila ka zero transparencë. Që nga viti 2012 faqja zyrtare e komunës nuk jep asnjë detaj për atë se ku harxhohen parat e komunës së Tearcës. Kjo është një armë i madh për të gjithë ata njerëz të shoqërisë civile, gjithë ata intelektual për gjithë atë elitë e cila gjendet në komunën e Tearcës e cila me të drejtë ka shqetësimin e madh se kjo komunë nuk udhëhiqet ashtu siç duhet”.
Nga ana tjetër Ruhan Iljazi nga PDSH tha se është absurditet që komuna mos të ketë ujë të pijshëm dhe banorët të detyrohen të blejnë ujë. Ai tha se në të gjitha fshatrat mbizotron një frymë e keqe si në infrastrukturë, si në arsim dhe në sektorët tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin komunal.
RUHAN ILJAZI, PDSH
“Kjo është mungesë e angazhimit 12 vjeçare ose 9 vjeçar të kryetarit të komunës Isen Asani duke e pasur parasysh se asnjë investim kapital nuk ka edhe nga buxheti i mandatit katër vjeçar të tij, vetëm 12.4 për qind janë investuar për investime kapitale”
Kandidati i “Aleancës për shqiptarët” Nevzat Veliu, tha se e gjithë ajo katrahurë që po i ndodh komunës së Tearcës është si shkak i mungesës së transparencës.
NEVZAT VELIU, ‘ALEANCA PËR SHQIPTARËT’
“Gjithë qytetarët e Tearcës, ose çdokush ku garojnë kandidatët e mundshme e kanë për obligim moral ashtu siç e kërkojnë mandatin të dalin dhe të japin llogari. Në kuadër t transparencës unë do të paraqes llogaridhënien dhe nëse japim llogari në vitin e parë, pak hapësirë do të lemë që të na paraqiten pamjet që i pamë pak më para”, deklaroi Nevzat Veliu nga Aleanca për Shqiptarët”
Në debat mungoi kandidati i BDI-së për komunën e Tearcës, Isen Asani, të cilit ju parashtruan pesë pyetje, ndërsa njëra prej tyre ishte kjo: A t’u është bërë bereqeti në arën tënde që e asfaltove enkas për nevojat tua personale? Enis Murtezi /SHENJA/

