Jetojmë në Shekullin XXI, rreth Malit Sharr, por fatkeqësisht nuk kemi ujë të pijshëm. Kështu tha kandidati i “Aleancës për shqiptarët” për Bogovinën, Albon Xhemaili, i cili ka shtuar se përderisa banorët e kanë menaxhuar vet ujin e pijshëm nuk kanë pasur problem, por problemet kanë lindur në momentin kur komuna ka marrë menaxhimin e ujit.
“Në vendbanimet tjera ku ka mungesë të ujit, veçanërisht në Pirok, Kamjan, Pallçishtë dhe vendbanime tjera, janë investime shumë të vogla për t’u rregulluar çështja”, tha Albon Xhemaili nga Aleanca për Shqiptarët.
Ai shtoi se ka probleme infrastrukturore, ndërsa premtoi se do të themelojnë një ndërmarrje për mirëmbajtjen e rrugëve.
Elvir Iseni nga PDSH, tha se shumica e rrugicave janë ndërtuar me vet investim të banorëve, ndërsa disa rrugë që janë asfaltuar nuk janë të qëndrueshme.
Disa projekte që janë bërë tani, tha Iseni, janë bërë vetëm për shpëlarje parash dhe për të marrë përqindjen e tenderëve.
Ndërsa, nga Minur Asani nga Lëvizja BESA tha se në Komunën e Bogovinës nuk ka investime, duke shtuar se fajtor për këtë është edhe pushteti qendror.
“Ne do të fokusohemi në zgjidhjen e problemeve në tre çështje. E drejta që i takon Komunës së Bogovinës nga shteti do të merret patjetër. Ne si komunë do të dalim me plan konkret se si është gjendja aktuale dhe si mund të zgjidhen këto probleme”, tha Asani, duke shtuar se ata do të formojnë një ndërmarrje e cila do të ketë makinerinë e vet që do të zgjidh problemet komunale. /SHENJA/

