Protestën e sotme në Çarshinë e vjetër të Shkupit pas lutjes së Xhumasë, kundër vendimit të presidentit Donalld Tramp për bartjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në qytetin e shenjtë të Jeruzalemit, e ka organizuar Shoqata “Kupru”, që tubon studentët e Turqisë që studiojnë në universitetet e Maqedonisë, njofton Almakos.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministria e punëve të brendshme, e cila për Almakos ka deklaruar se shoqata në fjalë me kohë ka paralajmëruar mbajtjen e protestës sot nga ora 12 e gjysmë deri më ora 14 e gjysmë para xhamisë “Murat Pasha” në Çarshinë e vjetër të Shkupit.
Policia thotë se është shumë e rëndësishme që protesta ka përfunduar pa ndonjë incident dhe duke mos prishur rendin dhe qetësinë publike.
“MPB nuk ka pasur informacion se për çfarë realisht po protestohet, por vetëm thjesht është paraqitur si një protestë e zakonshme”, nënvizojnë burime të policisë për Almakos.
Redaksia e Almakos është përpjekur të kontaktojë me drejtuesit e kësaj shoqate për të sqaruar motivet e kësaj proteste. Numrat e celularëve të shënuar në ueb faqen e shoqatës rezultoi se nuk kishin qasje në rrjet.
Në këtë protestë u lexua një deklaratë në tre gjuhë, në turqisht, maqedonisht dhe shqip. Deklaratën shqip e lexoi Hasan Rexhepi, student i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup.
Studenti Rexhepi tha se xhamia Kudsi në Jeruzalem nuk është e rëndësishme vetëm për palestinezët, por është e rëndësishme për të gjithë myslimanet në mbarë botën.
“Asnjë vendi të huaj nuk i lejojmë të marrë vendim për qytetin tonë, Kudsin. Si ummet, kurrë nuk do të heshtim ndaj kësaj padrejtësie. Kudsi është i myslimaneve dhe ky është vendim i Allahut Fuqiplotë. Kudsit ka kush i del zot. Deri sa të jemi ne gjallë, Kudsi kurrë nuk do të bie. Kudsi është çështje besimi, e jo gjeografie. Kudsi është drita e syve tanë dhe nderi i myslimaneve. Oj kibla ime e parë, nëse ti nuk je e qetë, as ne nuk jemi”, porositi Rexhepi.
Mevludin Imeri
Almakos.com