Avokati i Studentëve në Universitetin “Nënë Tereza”, Suhejb Memedi, ka reaguar ndaj, siç i quan ai, përpjekjeve për politizimin e nismës studentore për mbajtjen e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se studentët nuk janë nën ndikimin e asnjë subjekti politik.
Në një deklaratë publike, Memedi u ka bërë thirrje qytetarëve dhe opinionit që të mos bien pre e provokimeve dhe dezinformatave që, sipas tij, synojnë ta paraqesin këtë lëvizje dhe protestën e së hënës si të dirigjuar nga opozita.
“Para të gjithëve dhe me plot ndërgjegje deklarojmë se nuk jemi nën komandën e askujt. Ne jemi disa studentë të thjeshtë që kërkojmë vetëm drejtësi”, ka theksuar ai.
Statusi i plotë i Suhejb Memedit:
Ju bëj apel të gjithëve mos bini pre e provokimeve dhe dezinformatave kinse ne jemi zë i opozitës, sepse para të gjithëve dhe me plot ndërgjegje deklarojmë se nuk jemi nën komandën e askujt. Ne jemi disa studentë të thjeshtë që kërkojmë vetëm drejtësi.
Sa i përket partive opozitare shqiptare, është e vërtetë që ata nuk e kanë bërë këtë për 20 e disa vite, por po aq fajtorë jeni edhe ju, partitë politike shqiptare që jeni në qeveri.
Na thoni ju cila është arsyeja që nuk e rregulloni që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe dhe të merrni meritat për një të drejtë që është e garantuar?
Prej kur kemi filluar, organizimin e vetmja përgjigje që kemi marrë është se është formuar një Grup Pune.
Nuk mund t’i merrni meritat e studentëve që nuk kanë bërë gjumë në sy për këtë të drejtë të pastër.
Andaj, ju bëj apel partive shqiptare mos na përdorni asnjëra palë. Kjo e drejtë është e drejtë e studentëve – rrini larg!


