Më 4 maj 2019, në hapësirat e Universitetit të Tetovës, u organizuan konferencat doktorale, gjatë së cilave, studentët e programeve studimore të ciklit të tretë – studime të doktoraturës, prezantuan të arriturat e tyre shkencore dhe avancimin intelektual në lëmenjtë e përzgjedhur shkencorë.
Në prezantime të hapura dhe publike, para komisioneve të caktuara dhe para kolegëve të profesionit dhe jo vetëm, doktorantët e këtyre programeve studimore: Kineziologji, Biomedicinë, Gjermanistikë, Historia e popullit shqiptar, Historia e institucioneve dhe shteti i së drejtës, Historia e shtetit, Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe historia e diplomacisë, Sistemet politike bashkëkohore, Shkencat ekonomike, Filologji orientale, Sociologji dhe Pedagogji, shpalosën jo vetëm arritjet e tyre shkencore dhe punën e realizuar përgjatë semestrave, por njëherit shkëmbyen përvojat ndërkolegiale dhe morën sugjerimet e nevojshme rreth problematikave të specifikuara për sfera të ndryshme studimi.
Sipas komisioneve të përbëra nga profesionistë të lëmenjve shkencorë, nga Këshilli Universitar i Studimeve të Doktoraturës dhe nga mentorët e kandidatëve pjesëmarrës, gjithnjë e më shumë shënohet progres, qoftë në cilësinë e publikimeve shkencore në revista shkencore me bord ndërkombëtar, qoftë në prezantimin e gjithë të arriturave shkencore të kandidatëve dhe sidomos në impenjimin e doktorantëve për finalizimin e tezave të doktoratës, në nivele të atilla që mund të jenë konkurruese dhe premtuese për të ardhmen e botës akademike në vend dhe më gjerë.
Organizimi i konferencave doktorale, gjatë çdo viti akademik, mëton të sjellë risi shkencore dhe avancim shkencor të doktorantëve të Universitetit të Tetovës, me ruajtjen e kritereve dhe standardeve të parapara për organizimin e mirëfilltë të konferencave shkencore.
Përgjegjësi i Zyrës për Studime të Doktoraturës, Doc. Dr. Kushtrim Ahmeti, konsideron se ruajtja e standardeve të një niveli konkurrues, në aktivitetet që parashihen në studimet e ciklit të tretë, rezulton me rritje të cilësisë së kandidatëve dhe e gjithë kjo është në dobi jo vetëm të doktorantëve, por edhe në dobi të së vërtetës shkencore, gjë e cila përkon me qëllimin e studimeve të doktoraturës.
Kandidatët, po ashtu shprehen se organizimi i konferencave doktorale është një sprovë më se e nevojshme për çdo hulumtues shkencor, e sidomos për ata hulumtues të rinj të cilët avancimin intelektual dhe shkencor ia atribuojnë përkushtimit dhe përpjekjes së vazhdueshme për të arritura të reja akademike.


