Struganët, me qëndrime të ndara rreth nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve. Disa thonë se duhen emra të ri, ndërsa të tjerë thonë se emrat ekzistues të rrugëve të qytetit nuk duhet të preken. Disa besojnë se kjo do të sjellë kosto shtesë.
“Nuk besoj se duhet, sepse kështu është prej vitesh. Ne i kemi mësuar tashmë rrugët dhe tani këto janë ndryshime të panevojshme. Unë mendoj se nuk ka rëndësi për askënd”, tha një qytetar.
“Nuk duhet të ndryshojnë. Duhet të mbeten të njëjta, sepse kjo përfshin shumë gjëra të tjera, si kartat e reja të identitetit, ndryshimi i pasaportave”, u shpreh një tjetër qytetar.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Alain Dereban, thotë se nëse do të tentohet të ndryshohen emrat e rrugëve, në kundërshtim me ligjin, do të ndërmarrim të gjithë mekanizmat ligjorë.
“Çdo gjë jashtë zgjidhjes ligjore, çdo procedurë, është e paligjshme dhe duhet të anulohet dhe të sanksionohet ashpër. Nëse propozimet dhe emrat kanë qëllime të tjera, siç është shkaktimi i përçarjes dhe mostolerancës ndëretnike, kundër të gjithë autorëve duhet të ngrihen kallëzime përkatëse penale”, deklaroi Alain Dereban, zëvendësministër i Drejtësisë.
Vendimi duhet të votohet sipas parimit të Badenterit, që nënkupton shumicën e votave të pjesëtarëve të komuniteteve. Iniciativa për ndryshimin e emrave të rrugëve në Strugë ka ardhur nga një këshilltar i Aleancës së Shqiptarëve nga krahu i Taravarit. Për të votuan këshilltarët nga blloku i partive shqiptare, por jo edhe VMRO DPMNE dhe LSDM-ja. /Alsat.mk